Liverpool është goditur rëndë nga dëmtimet këtë sezon, sidomos në repartin e mbrojtjes. Virgil Van Dijk dhe Joe Gomez do të qëndrojnë ende për shumë kohë jashtë fushave, ndërkohë që edhe Joel Matip pësoi një problem në ligamentet e kyçit të këmbës në sfidën me Tottenham.
Megjithatë, sipas raportimit të “ESPN”, drejtuesit e klubit anglez nuk janë dorëzuar ende në merkato për t’i siguruar një qendërmbrojtës trajnerit Jurgen Klopp. Bëhet fjalë për lojtarin e New York Red Bulls, Aaron Long, i cili konsiderohet si përforcimi i duhur për kampionët e Premier League.
Amerikani numëron rreth 120 ndeshje në MLS, që nga viti 2017, dhe është shpallur si mbrojtësi më i mirë i kampionatit në vitin 2018. Aktualisht, Long është në grumbullim me kombëtaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të miqësores me Trinidad dhe Tobago, por një ofertë në drejtim të tij pritet të mbërrijë në orët e ardhshme. /abcnews.al