Ish-Presidenti Donald Trump në një takim me udhëheqësin e pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy, premtoi se do të ndihmojë partinë për të marrë përsëri kontrollin e Dhomës në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022.
Ky takim vjen tre javë pasi ligjvënësi i Kalifornisë akuzoi Trump, duke i thënë se ish-presidenti mbante përgjegjësi për trazirat e 6 janarit në Kapitol. Takimi u zhvillua në klubin Mar-a-Lago të ish-presidentit në Palm Beach të Floridës, ku Trump po banon pas largimit nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar.
Trump kishte shprehur privatisht zemërim ndaj republikanit McCarthy tek këshilltarët e tij pas deklaratave të ligjvënësit se ish-presidenti ishte përgjegjës për trazirat në Kapitol ku humbën jetën pesë persona, sipas një burimi.
Më vonë,McCarthy u tërhoq, duke thënë se nuk besonte që trazirat të ishin provokuar nga ish-presidenti.
Ish-Presidenti Trump do të përballet me një gjyq në Senat muajin tjetër, pas akuzës së ngritur kundër tij nga Dhoma e Përfaqësuesve më 13 janar për nxitje rebelimi. Dhoma Përfaqësuesve e ka bazuar akuzën tek fjalimi qëTrump mbajti përpara mbështetësve para se ata të sulmonin Kapitolin. Në fjalim ai këmbënguli përsëri, pa u bazuar në fakte, se zgjedhjet e 3 nëntorit që humbi ndaj demokratit Joe Biden ishin “të manipuluara”.
Këshilltarët thonë se kohët e fundit Trump ka folur për formimin e një alternative ndaj Partisë Republikane, Partisë Patriotike, gjë që nëse realizohet mund të kishte efekte katastrofike për republikanët në zgjedhjet e ardhshme.
Por një deklaratë për takimin me ligjvënësin McCarthy e lëshuar nga komiteti i veprimit politik “Save America” Trump, lë të kuptohet që ish-presidenti tani për tani e ka lënë mënjanë idenë e formimit të një partie të re.
Ata u përqendruan tek synimi që republikanët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e vitit 2022. “Presidenti Trump ra dakord të punojë me udhëheqësin McCarthy për të ndihmuar Partinë Republikane të bëhet shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve,” thuhet në deklaratën e komitetit “Save America”. Në deklaratë thuhet se takimi ishte shumë i mirë dhe i përzemërt”.
Republikanët fituan më shumë vende në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, duke e ulur shumicën e demokratëve, të cilët tani kanë kontrollin me 221 vende, kundrejt 211 të republikanëve.
McCarthy tha në një deklaratë se ish-Presidenti Trump u zotua për zgjedhjen e më shumë republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat në votimet e vitit 2022. Ai kritikoi demokratët që kanë nisur procesin për “shpalljen fajtor të një presidenti, i cili tani është qytetar privat”. “Një lëvizje e bashkuar konservatore do të forcojë lidhjet e qytetarëve tanë dhe do të mbajë lart liritë mbi të cilat u themelua vendi ynë,” tha ai./abcnews.al