Plani ekonomik i PD, Basha: Anulimi i taksës Rama është angazhimi i qeverisë sime

schedule12:42 - 28 Janar, 2021

schedule 12:42 - 28 Janar, 2021

Me sloganin “Shqipëria fiton” lideri i opozitës prezantoi këtë të enjte programin ekonomik të Partisë Demokratike.

Një nga çështjet e këtij programi e renditur si shqetësuese nga Basha është e taksa e naftës.

Lideri i opozitës u shpreh se një nga vendimet që do të ndërmarrë partia e tij do të jetë anulimi i taksës prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin.

Lexo edhe: LIVE/ “Shqipëria fiton”, Basha: Programi ekonomik do t’i shërbejë shqiptarëve, mbaroi koha e matrapazëve

Pjesë nga fjala:

“Për 8 vite Rama jua rriti taksat shqiptarëve dhe i varfëroi ata, unë angazhohem t’i ul taksat mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh, dhe po kështu të vendosim taksën 9% të fitimit mbi të gjitha sipërmarrjet shqiptare me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja. Unë angazhohem të ul sigurimet shoqërore në vlerën 18%.

Totali i taksave dhe tarifave vendore i bizneseve të vogla e të mesme nuk do të jetë më i lartë se 0.5% e xhiros. Ky është angazhimi im dhe i qeverisë sime për biznesin e vogël e të mesëm. Dua ta përsëris fare qartë sot në nisje të prezantimeve tona, se një nga vendimet e para të qeverisë të dalë nga vota e 25 prillit do të jetë anulimi i taksës Rama prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin.

Për të gjithë operatorët e transportit shqiptar, për çdo pronar automjeti, nga më i riu tek më i vjetri, për të gjithë ata që nuk kanë një automjet po e ndiejnë pickimin në lëkurën e tyre sa herë ju duhet të udhëtojnë brenda qytetit, nga një qytet në tjetrin, për këdo që e di apo e mëson sot se karburanti është pjesë e çmimit të gjithçkaje që blejnë në treg dua tua them fare qartë se prej ditës së parë të qeverisë së re të dalë nga vota juaj më 25 prill çdo litër karburant do t’ju kushtojë 240 lekë më pak të vjetra sesa ju kushton sot.

Taksa Rama mbi karburantin do të eliminohet. Këto nuk janë thjesht shifra. Ky është një ndryshim që do të prekë çdo shtëpi, çdo familje, çdo individ. Këto janë paratë tuaja për të cilat punoni dhe këto para do të jenë tashmë në xhepat tuaja dhe në duart tuaja, nga Vermoshi në Konispol, dhe kjo do të bëjë të mundur që çdo qytetar shqiptar me qeverinë e dalë nga vota e 25 prillit të ketë më shumë lekë në xhepat e tij, në duart e tij se sa ka sot. Më shumë para për veten tuaj dhe jo për të shumëfishuar pasuritë e qeveritarëve të Ramës.

Me këto masa shqiptarët do të kenë, por edhe do të shpenzojnë më shumë për veten e tyre dhe për familjen e tyre, për arsim më të mirë, për kushte më të mira jete, për shëndet më të mirë për çdo shqiptar. E përsëris janë paratë tuaja të cilat sot padrejtësisht vidhen dhe shpërdorohen, paratë për të cilat punoni dhe rropateni dhe nesër këto para do të jenë në dorën tuaj, do të jenë në xhepat tuaja, për veten tuaj, për familjen tuaj.

Angazhohem se do të risim pensionet me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit me synimin që në fund të mandatit tonë të parë  pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit. Kudo në Shqipëri takoj njerëz, bashkëmoshatarë apo më të rinj që ndajnë të njëjtën brengë, pamundësinë e prindërve pensionistë për të mbyllur muajin. Kush nuk e di këtë brengë, kush nuk e njeh këtë brengë. Edhe ata që mundohen ta fshehin duke kontribuar nga të ardhurat e veta të pakta , qindra e mijëra prej vëllezërve e motrave, kushërinjve që kemi në emigracion që janë shpresa e vetme, filli i vetëm që i mban prindërit e tyre pensionistë në këmbë.

Boll më!

Boll më!

Ka ardhur koha t’ju garantojmë që të moshuarit tanë të jetojnë me respektin dhe dinjitetin që meritojnë. Dhe ne do të garantojmë që të moshuarit tanë të jetojnë me respekt, që tu plotësohen nevojat bazë, që çdo gjyshe dhe çdo gjysh të jetë i sigurt dhe të ketë vendin e vetë në shoqërinë tonë.

Angazhohem të ul çmimin e energjisë elektrike dhe çmimin e karburante, çka padyshim do të ndihmojë jo vetëm klimën e biznesit por dhe familjet shqiptare. Do t’ju vijmë në ndihmë të gjitha familjeve shqiptare dhe sidomos çifteve të reja pa përjashtuar askënd.

Ne do të mbulojmë shpenzimet arsimore për tarifat universitare për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura me pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj. Arsimimi, dija, kultura. Shqipëria ka nevojë për një qeveri e një kryeministër të ekonomisë, Shqipëria do të ketë pas 25 prillit një qeveri e një kryeministër të ekonomisë por Shqipëria ka po kaq nevojë për një kryeministër e qeveri të dijes.

Arsimi është gjithçka për mirëqenien dhe të ardhmen e çdo fëmije. Suksesi dhe fatin e çdo të riu, për të ardhmen e shoqërisë dhe të kombit. Arsimi është ajo nga e cila përfitojmë të gjithë. Përmes programit, Shqipëria fiton nga arsimi.

Ne do t’iu japim fëmijëve të kenë mundësinë të kenë programe pas-shkollore edukative dhe do t’iu ofrojmë atyre ushqim në shkollë për orët shtesë. Kështu do ti mbajmë fëmijët tanë të sigurt dhe larg rrugëve. Tekstet shkollore do të jenë falas për të gjithë ciklin parauniversitar. Arsimi dija, përgatitja e brezit të ri. Ne do të investojmë që çdo fëmije ti jepet mundësi e barabartë për të pasur sukses. Familjet shqiptare po vuajnë prej kohësh dhe kjo qeveri vetëm i ka shpërfillur vuajtjet, sakrificat e tyre të dhimbshme për arsimimin e fëmijëve të Shqipërisë.

Ne do të mbështesim familjet shqiptare. Çdo familje do të përfitoj për të porsalindurit një pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për pesë vitet e para të jetës. Çdo vit të qeverisjes time 5 mijë çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi I plotë I interesave të kredive për strehim, çka do të thotë për ju të sapomartuar apo të sapofejuar apo që doni të hidhni këtë hap në jetë por që nuk keni asnjë mundësi as ta çoni nëpër mend blerjen e një banese, se pas 25 prillit qeveria juaj do të paguaj 100% interesat bankare për çdo kredi që do të merrni për të blerë një apartament apo një banesë.

Në fund të mandatit tonë të pare, do të jenë 20 mijë çifte dhe familje të reja që do të kenë siguruar strehim përmes kësaj skeme të subvencionimit të interesave”, tha Basha./abcnews.al/