E ftuar ne puntatën e sotme të “E ardhmja është vajzë” përballë Jonida Maliqit ishte piktorja e talentuar Stela Rustemaj, e cila njihet kryesisht në rrjetet sociale për artin e veçantë që bën. Siç tashmë është traditë në emisionin me autore dhe moderatore Ermira Çaushollin, Stela foli në lidhje me suksesin e saj të jetës, por edhe sfidat e vështira që i është dashur t’i kalojë, teksa mori edhe një surprizë të veçantë nga i ati.
Ashtu si rrëfeu në studio, suksesi më i madh për artisten ishte pikërisht fakti që ajo sot njihet si “Stela piktorja”, edhe pse ka bërë një tjetër shkollim dhe gjithçka në lidhje me artin e ka mësuar vetë, pa ndihmën dhe orientimin e askujt. Ajo tha se kjo kishte qenë një ëndërr e saj, por edhe një objektiv që i kishte vënë vetes, ndonëse në fillimet e veta pikturat e saj nuk u ndante me askënd, pavarësisht orëve të gjata që kishte kaluar në studio.
Momenti kur vepra e saj, sa moderne, por edhe aq ekstravagante ishte vënë re në një event kohë më parë dhe komentet pozitive që kishte marrë, bëri që ajo të vazhdonte ëndrrën e saj dhe të arrinte aty ku është sot. Rustemaj tha se mënyra se ajo punon, me trupin dhe gjymtyrët e saj, është gjëja që i krijon një lidhje organike me pikturat që realizon, por nga ana tjetër jo të gjithë e kanë kuptuar përgjatë viteve artin e saj.
Gjithsesi Stela ka vazhduar të punojë me mënyrën e saj, pa ja vënë veshin komenteve, ndërsa thotë se suksesi që ka arritur tani është vetëm fillimi. Po sfida e radhës? Sigurisht një ekspozitë, që me shpresë do realizohet brenda këtij viti. /abcnews.al