Reperi i njohur, Gold Ag dhe bashkëshortja e tij, Ermira Shkodra, u bekuan me një djalë në 28 nëntor, të cilin e pagëzuan me emrin Gueril. Ky emër u diskutua gjatë dhe reperi e shpjegoi domethënien e tij.
“Gueril është një luftëtar që sulmon armikun në befasi me grupe të vogla. Përderisa ka lindur më 28 nëntor, për ditë të flamurit, për ditëlindje të Adem Jasharit, për daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është diçka që lidhet me emrin Gueril. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri guerile që ka vepruar në grupe të vogla kundër armiqve. Adem Jashari ka qenë luftëtar gueril. Në përgjithësi luftat tona, të shqiptarëve në trojet tona, janë bërë në stilin gueril. Kemi pasur edhe lufta frontale kuptohet por si gueril kemi vepruar gjithmonë historikisht. Kështu që gueril është ai, luftëtar që sulmon befasishëm me grupe të vogla armikun”, tregoi Gold Ag.
Reperi ende nuk e ka treguar portretin e të birit, mirëpo sot ka zbuluar se vogëlushi ka marrë nënshtetësinë shqiptare. Ai ka publikuar në rrjete sociale dorën e të voglit i cili mban pasaportën me shqiponjën dykrenare, teksa shkruan:
“Jam gjaku i ri, i kombit ma t’vjetër. E gëzofsh shtetësinë shqiptare djali jem.”/abcnews.al