Zgjedhjet, programi dhe largimet nga LSI, Vasili: Mallrat e dorës së 2 dhe 3 mund të përdoren

schedule13:49 - 26 Janar, 2021

schedule 13:49 - 26 Janar, 2021

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili në studion e ABC foli për zgjedhjet e 25 prillit dhe programin politik të LSI.

Sa i përket largimeve që janë bërë nga anëtarë, ish-ministra duke iu bashkuar PS, ai tha se askush nuk mund të ndalet, duke i konsideruar edhe si mallra të dorës së dytë.

I pyetur nëse vështirësohet fushata më largimin e ish-ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, ai tha se influenca e tij është zero duke nënkuptuar se nuk pritet të ketë një vështirësi të procesit të fushatës.

“Ata që nuk paraqesin asnjë vlerë me LSI i marrin. Mallrat e dorës së dytë dhe dorës së tretë mund të përdoren. Influenca e tyre është zero”, tha Vasili.

Vasili theksoi se rimëkëmbja e ekonomisë mbetet prioritet i LSI-së, ndërsa shtoi se goditja në zemër e problemit është përgjigja më e mirë.

“Shpopullimi është një fenomen që kërkon zgjidhje. Mënyra se duhet të nxjerrim ekonominë nga kjo greminë ku është dhe të bëjmë gjithçka që të mos largohen të rinjtë. Arsimi është një tjetër shtyllë e rëndësishme. Nuk mundet që të rinjtë të diplomohen dhe të marrin rrugët e botës. Barra e borxhit po i thyen këmbët ekonomisë. Bujqësia është një tjetër pikë e rëndësishme e programit tonë. Mbështetja e fortë financiare deri në 200 milion euro në vit do të thotë të krijohen kushtet optimale për bujqësi”, tha ai.

Gjatë bisedës në studio me gazetaren Juli Xhokaxhi, Vasili tha se bluzat e bardha janë përdorur si propagandë.

“Shëndetësia duhet ringritur, kjo e sotmja u vu në një provë të fortë me pandeminë, u përdor si propagandë”, shtoi ai.

Vasili foli edhe për zgjedhjet e 25 prillit duke u shprehur se LSI ka një marrëveshje politike me të gjithë aleatët e PD.

“Negocimi është drejt përmbylljes dhe mbetet për tu parë se si do të vijojë. Çdo lloj interesi politik po diskutohet në mënyrë konfidenciale. PS nuk ka pasur asnjëherë aleatë, por vetëm farsë. Por në nuk i kemi mbyllur derën askujt që e gjen veten tek opozita e bashkuar. Vendi ose zgjidh problemin në 25 prill dhe shpëton nga gremina ose rrugë tjetër nuk ka”, tha më tej Vasili.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!