Vaksina Moderna është efektive ndaj varianteve të reja të koronavirusit të zbuluara në Britani dhe Afrikën e Jugut, konfirmoi kompania amerikane farmaceutike.
Njoftimi i kompanisë vjen në një kohë shqetësimi në lidhje me efektivitetin e vaksinave ndaj mutacioneve të reja.
Sidoqoftë, Moderna vëren se vaksina mund të funksionojë, por prodhon më pak antitrupa ndaj mutacionit që gjendet në Afrikën e Jugut. Prandaj, po punon për forcimin e vaksinës dhe për të bërë rregullimet e nevojshme.
Megjithatë, Moderna siguron që edhe në këtë rast, antitrupat “mbeten mbi nivelin e mbrojtjes”.
Për hulumtimin, Moderna bashkëpunoi me Qendrën e Kërkimit të Vaksinave të Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve ngjitëse, e cila është pjesë e Institutit Kombëtar të Shëndetit.
Deri më tani, rezultatet nuk janë publikuar ose vlerësuar nga shkencëtarët, por janë dorëzuar në bioRxiv, i cili publikon studime paraprake në internet. g.v/abcnews.al