Ekspertja e biokozmetikës Anxhela Panxhi, e ftuar këtë të hënë në “Abc-ja e mëngjesit” shpjegoi gabimet që shpesh nënat e reja bëjnë në kujdesin ndaj bebeve. Ndër ta përmendi gabimin më të shpeshte që bëhet, siç është përdorimi i pudrës gjerësisht nga gratë. Sipas saj, përdorimi i saj jo vetëm që e than më shumë se çduhet lëkurën e foshnjes, por gjithashtu ndikon dhe tek frymëmarrja e tij.
“Gabimi kryesor është larja e bebeve në temperaturë të lartë uji. Uji duhet të jetë i vakët sepse lëkura e bebes nga temperatura e lartë largon barrierën e hollë mbrojtëse që ka, largohet niveli yndyror që është i rëndësishëm për beben. Kjo anashkalon tharjen e lëkurës. Gabim tjetër është përdorimi i pudrës, pasi nuk është e rekomanduar jo vetëm përthan më shumë se çduhet lëkurën por ndikon dhe tek frymëmarrja e bebit.
Rekomandohet tharja me një napë me butësi duke përdorur një napë të sterilizuar mirë. Peshqiri është më i vështirë për t’u sterilizuar prandaj rekomandohet napa. Gabim tjetër është fshirja, duke patur forcë fërkimi tek lëkura e bebit. Përdorimi i letrave të lagura nuk rekomandohet sepse janë jo të shëndetshme për shkak të elementëve që përmbajnë. Përdorimi afatgjatë i tyre shkakton infeksione dhe nxit ekzemën.”, u shpreh Panxhi.
Ndër të tjera, ajo u ndal dhe tek produktet që duhet të përdoren për kujdesin ndaj lëkurës. “Përzieni një gotë tërshërë me ujë për 10 minuta. E kullojmë dhe këtë gotë me qumështin e tërshërës e shtojmë në banjë ose e përdorim direkt në lëkurën e bebit. Tërshëra është qetësuese për lëkurën, parandalon ekzemat dhe shumë irritime të tjera.
Përdoret aloevera por duhet bërë testi i alergjisë, përdoret dhe mjalti por gjithashtu dhe për atë duhet bërë testi i alergjisë. Si dhe varjat e ndryshëm për të ruajtur elasticitetin e lëkurës së bebit dhe pa flagranca.”, shtoi më tej ajo. /abcnews.al