Itali, kryeministri shpall gjendjen e jashtëzakonshme

schedule18:16 - 15 Gusht, 2018

schedule 18:16 - 15 Gusht, 2018

Një ditë pas tragjedisë së Xhenovës, kryeministri i Italisë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për një vit. Në një konferencë shtypi, Xhuzepe Konte ka njoftuar tërheqjen e koncesioneve për rrugët dhe ndarjen e një fondi për nevojat emergjente.

Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte ka njoftuar të mërkurën se ka dekretuar gjendjen e jashtëzakonshme për 12 muaj, pas shembjes së urës së Xhenovës. Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, Konte ka bërë me dije se ekzekutivi ka lëshuar 5 milionë euro për ndërhyrjet e para urgjente në vendin e ngjarjes. “Gjithashtu, do të nisim procedurën për revokimin e konçesionit të dhënë kompanisë ‘Autostradat e Italisë’”, ka vijuar Konte, duke shtuar se qeveria nuk mund të presë drejtësinë dhe procedurat e saj të gjata për të vepruar.

“Nga sot e tutje do të jemi shumë më të kujdesshëm me konçesionet, do të rishikojmë kontratat e dhëna dhe do të jemi më kërkues”, ka thënë Konte.

Shefi i qeverisë italiane ka shtuar më tej se në mbledhjen e kabinetit është vendosur gjithashtu shpallja e një dite për zi kombëtare, e cila sipas tij do të përkojë me ceremoninë mortore të viktimave të tragjedisë. Sa i takon sigurimit të dy kolonave të urës që kanë mbetur në këmbë, Konte ka premtuar se një gjë e tillë do të bëhet shumë shpejt, ndërsa ka shtuar se shumë shpejt do të hiqen rrënojat për të ndërtuar shtigje alternative.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen ka reaguar Komisioni Europian, i cili u është përgjigjur akuzave të klasës politike italiane për shtrëngim të fondeve për infrastrukturën. “Në periudhën 2014-2020, Italia është parashikuar të marrë 2.5 miliardë euro për investime në infrastrukturë, kryesisht për rrugë dhe hekurudha”, ka deklaruar një zëdhënës. Duke shtuar se Komisioni është në kontakt me Romën zyrtare pas tragjedisë së të martës, zëdhënësi ka theksuar se ekzekutivi europian nuk do të përfshihet në asnjë debat politik lidhur me ngjarjen.  /abcnews.al