Prishtina thyen Dritën në Turqi, triumfi me “tris” i dhuron Superkupën

schedule13:58 - 23 Janar, 2021

schedule 13:58 - 23 Janar, 2021

Ka përfunduar finalja e Superkupës së Kosovës mes Prishtinës dhe Dritës, që u luajt në Antalia të Turqisë. Bardhekaltrit nga kryeqyteti fituan 3-1 ndaj kampionëve të IPKO Superligës, duke siguruar këtë trofe për herë të dhjetë në histori.

Goli i parë erdhi shumë shpejt. Qendrim Zyba dërgoi topin në rrjetë në minutën e dytë, duke i dhuruar avantazhin Prishtinës. Skuadra nga Gjilani reagoi dhe riktheu baraspeshën gjashtë minuta më vonë falë realizimit të Kastrioti Rexhës.

Pjesa e parë ishte plot emocione dhe Prishtina gjeti sërish rrugën e rrjetës në minutën e 22-të. Leonit Abazi fitoi një penallti dhe atë e ktheu në gol Besnik Krasniqi. Djemtë e Zekerija Ramadanit menaxhuan mirë avantazhin në pjesën e dytë dhe në shtesa vulosën fitoren me golin e Alban Shillovës.

Përfundimisht 3-1 për Prishtinën, që fiton trofeun e parë sezonal përballë një kundërshtari tepër të fortë. Tani është radha e kampionatit. IPKO Superliga do të nisë më 13 shkurt, datë kur do të luhet java e 19-të. /abcnews.al

Finalja e Superkupës së Kosovës
Prishtina-Drita 3-1
(Zyba 2′, Krasniqi 22′, Shillova 90+3′ / Rexha 8′)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!