Vala e tretë e koronavirusit, tani lufta është me mutacionet

schedule12:28 - 23 Janar, 2021

schedule 12:28 - 23 Janar, 2021

Bota po përballet me kundërsulmin e ri të pandemisë. Fjalimi i kryeministrit britanik për variantin e ri të koronavirusit ka shkaktuar shqetësime tek të gjithë. Boris Johnson konfirmoi se ka indikacione që e bëjnë atë edhe më vdekjeprurës për pacientët.

Deri më tani, komuniteti shkencor ka konfirmuar se është më ngjitës, por jo më i rrezikshëm.

“Ne u informuam sot që përveç përhapjes më të shpejtë, tani duket se ka disa prova që varianti i ri – i zbuluar për herë të parë në Londër dhe Anglinë juglindore ka vdekshmëri më të lartë”, tha Boris Johnson në konferencë për shtyp.

Shkencëtarët tani janë përqendruar në faktin nëse dhe në çfarë mase ky mutacion ndikon në efektivitetin e vaksinave. Kryeministri britanik siguroi se të dy vaksinat e  përdorura në vend mbeten efektive . Në fakt, gjërat nuk janë aq të thjeshta sa mund të duken.

Kjo sepse tashmë është provuar që vaksinat ekzistuese mund të mos jenë efektive ndaj mutacionit të ri B1351 të “Afrikës së Jugut”. Ky është një mutacion ndryshe nga mutacioni i zbuluar në Britani, i cili po përhapet me shpejtësi në pjesën tjetër të Europës.

Sidoqoftë, nëse një mutacion minon mbrojtjen e vaksinave që janë zhvilluar sot, kush mund të sigurojë që e njëjta gjë nuk do të ndodhë edhe në një mutacion tjetër?

Mbi të gjitha, mutacioni afrikan tashmë është përhapur në Europë.  Portugalia  ka njoftuar rastet e para të mutacionit.

Ndërkohë, ministri britanik i shëndetësisë, Hancock tha që nëse mutacioni i Afrikës së Jugut përhapet dhe bëhet dominant në Mbretërinë e Bashkuar, ai mund të shkatërrojë programin britanik të vaksinimit.

Epidemiologët grekë kanë shprehur shqetësimin se vaksinat mund të mos sigurojnë mbrojtje për mutacionet e reja. Një tjetër gjë shqetësuese është fakti që maskat prej rrobe nuk na mbrojnë nga  mutacionet e virusit, të cilat janë një zgjedhje e shpeshtë e qytetarëve.

Njëri pas tjetrit, vendet europiane po shtrëngojnë masat për detyrimin e maskave me shpresën se ato do të jenë në gjendje të ngadalësojnë përhapjen e virusit.

Maskat që konsiderohen më efektive janë maskat kirurgjike apo N95,  KN95 ose FFP2. Ndërsa gjatë një deklarate, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)  tha se maskat prej rrobe janë akoma po aq efektive, madje edhe kundër mutacionit të ri.

“Maskat prej rrobe, jo kirurgjikale, mund të përdoren nga të gjithë njerëzit nën moshën 60 vjeç që nuk kanë ndonjë probleme shëndetësore,” tha Maria Van Kerkhove.

Megjithatë, Franca  ka rekomanduar që qytetarët të shmangin maskat prej rrobe. Sido që të jetë, mutacionet e virusit mund të cilësohen  vala e tretë e pandemisë. s.ba/abcnews.al