Alternativat e reja për “25 prillin”, flet minatori që kandidon i pavarur: Më shtyu halli

schedule22:40 - 21 Janar, 2021

schedule 22:40 - 21 Janar, 2021

Mbrëmjen e kësaj të enjteje në “As Pro as Kundër” në ABC diskutohet për alternativat e reja këto zgjedhje parlamentare si dhe mundësitë që kanë këto alternativa që të shkojnë në parlament pas 25 prillit.

Iljaz Shehu, i cili në këto zgjedhje synon të kandidojë si i pavarur tregoi vështirësitë që vijnë me të qenurit i pavarur. Së pari, thotë ai, duhet të mbledhë më shumë se 1700 firma dhe më pas është bërja e fushatës dhe përcjellja e mesazhit politik.

“Faza e parë është mbledhja e firmave 1750 firma. Nuk janë shumë të lehta për t’u mbledhur. Njerëzit hezitojnë përgjithësisht. Në alternativa të reja nuhatet edhe rreziku. Kjo mund të jetë një lloj sfide. Sfida e dytë është pjesa e fushatës. Mesazhi politik përcillet e më pas bëhet bilanci.”

Por sa shanse ka Iljazi që të sigurojë një ulëse në Parlament? Me një llogaritje që bëri Bashkim Muça në studio rezulton se ai duhet të sigurojë diku tek 10 deri në 11 mijë vota.

Kurse, Rudina Hajdari u shpreh se partitë e vogla dhe alternativat e reja janë të shëndetshme për demokracinë e një vendi dhe se atyre u duhet një platforme të qartë, dhe me njerëz të provuar më herët.

Nga ana tjetër, Elton Debreshi,  minator, sindikalist dhe kandidat i pavarur në këto zgjedhje u shpreh se ndër vite partitë i kanë harruar minatorët.

“Ne jemi të pavarur sepse kështu jemi ndjerë gjithmonë. Na kanë lënë në harresë këtu e 30 vite. Jemi ngopur mirë me fushtata, kanë ardhur duke shfrytëzuar rastin duke premtuar statusin e minatorit.”

Edhe Debreshit, sipas llogaritjeve të Muçës do t’i duhen të paktën 10 mijë vota që të siguronte një vend në parlament.

Minatori tha se halli i ka shtyrë që ta marrin këtë iniciativë pasi, ata janë lënë në harresë, ndërsa shtoi se e vetmja gjë që kërkojnë është statusi i minatorit. s.b/abcnews.al/