Pfizer ka përgjysmuar sasinë e vaksinave që do të dorëzojë në disa vende të Bashkimit Evropian këtë javë.
Lajmin e bënë të ditur zyrtarë qeveritarë, ndërsa zemërimi dhe zhgënjimi për ndërprerjen e papritur të furnizimeve të prodhuesit amerikan të medikamenteve rritet, raporton Reuters.
Rumania mori vetëm 50% të sasisë që kishte porositur për këtë javë, gjysma tjetër do të kalojë gradualisht deri në fund të marsit, ndërsa dërgesat do t’i kthehen normalitetit duke filluar nga java e ardhshme, tha zëvendës ministri i shëndetësisë Andrei Baciu.
Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në Poloni ku të hënën u morën 176,000 doza, një rënie prej rreth 50% nga ajo që pritej.
Qeveria Çeke po përgatitej për ndërprerje javët e fundit, duke ngadalësuar fushatën e saj të vaksinimit ndërsa afrohet koha e dozave të dyta.
Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech nuk kanë pranuar të komentojnë mbi shkurtimet përtej deklaratës së tyre javën e kaluar, ku njoftoheshin shkurtime në dërgesa ndërsa rritet prodhimi në Evropë.
Dje, Italia kërcënoi se do të marrë masa ligjore kundër Pfizer. s.b/abcnews.al/