“Bëni si them unë, jo si bëj unë”! Njeriu që vendos rregullat anti-COVID i shkel me dy të dyja këmbët

schedule23:51 - 20 Janar, 2021

schedule 23:51 - 20 Janar, 2021

“Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”. Kjo shprehje i shkon më së miri për shtat asaj që ka ndodhur pasditen e sotme në Tiranë gjatë një aktiviteti partiak ku merrte pjesë kryetarja e Komitetit Teknik për masat anti-Covid-19, Mira Rakacolli, e cila është njëherësh edhe zv/ministre e Shëndetësisë.

Por cfarë ka ndodhur?

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve Mira Rakacolli ishte pjesë e një mbledhje partiake me shtabin elektoral të njësisë nr.1 në kryeqytet, ku drejtues politik është Ervin Bushati, ndërsa takimi u postua për të promovuar punën e strukturave para zgjedhjeve nga deputetja Elona Gjebrea. Por për cështje minutash postimi nga takimi u fshi pas breshërisë së kritikave, që në objektiv kishin pikërisht Mira Rakacollin.

Përse?

Nëse do të shikojmë foton me kujdes vihet re qartë dhe pastër se në një ambient të mbyllur qëndrojnë më shumë se 10 veta, ngjitur, pa respektuar distancën, të bindur përpara partisë dhe jo rregullave që predikojnë kur dalin jashtë.

As më pak dhe as më shumë por është vetë kryetarja e komitetit që vendosi rregullat që në një ambient të mbyllur nuk duhet të rrinë më tepër se 10 vetë dhe në distancë të paktën 1.5 metra. Por ndryshe nga sa deklaron në media, Rakacolli ka shkuar dhe qëndruar me vetëdije në aktivitetin e partisë në shkelje të rregullave.

Reagimi i menjëhershëm pas alarmit, por që la gjurmë

Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” denoncoi rastin duke e cilësuar si tallje pa kufij dhe ngre pyetjen kush do ta gjobisë Rakacollin? “Kryetarja e Komitetit Teknik që ndalon hapjen e universiteteve, mbledhjet e partive, protestat dhe tubimet me 10 veta, kapardiset ne mbledhjen e PS Tirane ne nje salle te mbyllur, pa distance dhe me me shume se 10 veta.

Kush do e gjobise Miren? Kush do e arrestoje Miren? ps. Deputetja sapo e fshiu foton, 10 minuta pas reagimit” shkruan ai. Por pavarësisht se deputetja socialiste e fshiu foton ku ishte e pranishme Rakacolli, la të tjerat.

Në tentativë për të “shpëtuar” Mira Rakacollin, Gjebrea lë faktin se si u zhvillua mbledhja e shtabit socialist në ambient të mbyllur dhe pa respektimin e masave anti-covid.

Ligji vetëm për të dobëtit

Pyetja që shtrohet është se cfarë do të ndodhë tani që rasti u denoncua dhe në heshtje u pranua edhe nga deputetja se kishte shkelje derisa e fshiu foton? Në bazë të rregullave të vendosura prej saj, kryetares së Komitetit Teknik të Ekspertëve qytetarët dhe bizneset gjobiten, por nga nesër moralisht kanë të drejtë që në momentin që do të ndalohen të nxjerrin foton e Mira Rakacollit./ Abcnews.al