Sipas Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj debatet nuk do të prevalojnë mbi bindjet politike, ndërsa qyteti do t’u lihet fëmijëve. Kryebashkiaku e bëri këtë deklaratë pas publikimit të strategjisë që Bashkia e Tiranës ka hartuar me studentët e Harvardit për një qytet miqësor për më të vegjëlit.
Nën moton “Tirana: Qytet për fëmijë, qytet për të gjithë”, Bashkia e Tiranës dhe grupi i studentëve nga Universiteti i Harvardit, prezantuan draftin e parë të strategjisë, që synon përfshirjen e nevojave të fëmijëve 0-5 vjeç në të gjitha vendimmarrjet e institucioneve bashkiake të planifikimit dhe implementimit urban. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se interesi i fëmijëve do të dalë mbi bindjet politike që pengojnë zhvillimin e qytetit.
“Jam i bindur se edhe në debatin që kemi sot për teatrin, në fund të ditës nuk do prevalojnë bindjet politike të secilit, si të pengojmë këtë apo deja vu-ja e Rozafës me këndin e lojërave. Në fund të ditës do prevalojë çfarë qyteti do lëmë për fëmijët: do lëmë inatet tona si monumente të qytetit apo do lëmë një infrastrukturë moderne, që fëmijët e gjeneratës tjetër të shkojnë në një teatër ku nuk do ngrijnë së ftohti, ku nuk do plasin vape, ku higjiena do respektohet në të gjithë infrastrukturën e vet, ku të ndihen krenarë në shfaqjen e tyre të parë si adoleshentë, në një vend ku do të ndihen si njerëz dinjitozë dhe një familje e ardhshme e qytetit tonë. Fakti që bashkia me gjithë aleatët e vet e ka marrë për zemër këtë çështje, besoj se është një bast i fituar për ne”.
Kryebashkiaku renditi disa nga nismat e bashkise gjate ketyre viteve ndersa deklaroi se disa prej pronave të cilat aktualisht janë të pazhvilluara dhe të degraduara, do të jepen për zhvillim tek investitorët privatë duke marrë në këmbim ambiente që do të përdoren për shërbime publike si çerdhe, kopshte
“Kemi marrë përsipër të fusim asetet e bashkisë, si çdo pronar tjetër toke në Tiranë, për të marrë mbrapsht koefiçientin që na takon nga një zhvillim të ri, në formën e një kopshti ose çerdheje të ardhshme. Në disa raste hapësira është aq e madhe sa mund ta konvertojmë edhe në një teatër të ri, por në disa raste mund të kemi vetëm 50-100 metra që përkthehen pastaj në 300-400 metra zhvillim. Kështu që, do të na duhet të shikojmë ku janë asetet ose ku janë tokat, nevojën për një çerdhe ose një kopsht shtesë, duke shkëmbyer ato pak metra që bashkia mund të ketë në një territor që mund të zhvillohet dhe pastaj për t’i marrë në natyrë në formën e një kopshti apo çerdhe”, tha Veliaj.
Një nga projektet që Bashkia e Tiranës pritet të vijojë është edhe ai i ndërtimit të shkollave të reja, ndërkohë puna sipas Veliajt do të ecë paralelisht edhe për krijimin e gjithë infrastrukturës mbështetëse të nevojshme. /abcnews.al