Ndërtimi i rrugëve ka zënë vendin më të rëndësishëm të investimeve publike për tre vitet në vazhdim. Në fondin prej 1,3 miliardë eurosh Ministria e Financave ka detajuar buxhetet e përcaktuara për çdo sektor.
166 miliardë lekë ose rreth 1,3 miliardë euro është vlera e investimeve publike në tre vitet e adhshme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, më shumë se 40 për qind e kësaj shumë është programuar për rrugët. Përqëndrimi i financimeve buxhetore do të shkojë për kompletimin e akseve të rëndësishme nacionale: Thumanë – Vorë – Kashar, Kashar – Rrogozhinë, Milot – Balldren, Orikum – Dukat dhe Kardhiq – Delvinë; si dhe Bypasset e Fierit dhe Vlorës për shumën totale prej 75 miliardë lekësh për periudhën 2019-2021.
Infrastruktura e Ujësjellës Kanalizim do të marrë 32 miliardë lekë. Ndërsa në arsimin parauniversitar do të financohen me prioritet projekte për ndërtime të reja, rikonstruksion/rindërtimin apo shtesa në objektet aktuale për më shumë se 170 objekte arsimore të tjera. Investimet në shëndetësi do të jenë 3, 4 miliardë lekë duke synuar rikonstruktimin e plotë të 200 qendrave shëndetësore dhe kompletimin e tyre me pajisje mjekësore.
Janë programuar të kryehen rikonstruksione të godinave spitalore me një vlerë 1.9 miliardë lekë për periudhen 2019-2021. Në këtë projekt përfshihen: spitali Lushnje, spitali psikiatrik Elbasan, Spitali Vlorë, Berat, Lezhë, Pogradec, Mat. Në sektorin e Bujqsisë do të investohen 7,8 miliardë lekë ku synohet rritja e produktivitetit në fermat e mëdha duke u mbështetur me më shumë se 7.8 miliardë lekë të siguruara nga programi iPARD. “Rilindja rurale” do ti marrë buxhetit të shtetit 48 miliardë lekë që ka për qëllim zhvillimin e qendrave të banuara, zonave me interes turistik, apo i zonave rurale duke krijuar njëherazi edhe premisat për zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit./abcnews.al