BB: Shqipërisë i duhen 8 vite e 9 muaj të rikuperojë humbjet gjatë tërmetit të 2019

schedule16:11 - 19 Janar, 2021

schedule 16:11 - 19 Janar, 2021

Nga Erblina Mile

Shqipëria është një vend shumë i ekspozuar nga katastrofat natyrore. Banka Botërore ka publikuar një raport të indeksit të rreziqeve ku theksohet se tërmeti dhe përmbytjet e ndodhura në vend do të ndikojnë në rritjen e varfërisë.  Në raport  thuhet se nivelet subjektive të varfërisë u rritën me 2.3 pikë përqindje.

Këto efekte, së bashku me pandeminë COVID-19, kërcënojnë të shtyjnë nivelin e varfërisë mbrapa me tetë vjet në një skenar të rastit më të mirë.

Nga një analizë rezulton se rreth 24,800 individë ose 4.7 për qind e popullsisë në Tiranë mund të kalojë në  ulje të  ndjeshme  të konsumit duke kaluar nga shtresa e mesme  në shtresat e varfra.

Ndërsa në rajonin e Shkodrës thuhet se janë rreth 9,200 individë që do kalonin në nivelin e varfërisë për konsum.

Përveç kësaj, vlerësohet se pa ndonjë ndihmë, familjeve shqiptare do t’u duhej mesatarisht më shumë kohë  të rikuperojnë  gjendjen në krahasim me  vendet e tjera evropiane.

Ndërkohë  për efektet e tërmetit të vitit 2019 në raport theksohet se  Shqipëria ka nevojë për 8 vite e 9 muaj për tu rikthyer në gjendjen e mëparshme.

Banka Botërore jep alarmin se  Shqipëria zotëron pak instrumente financimi ndaj rreziqeve natyrore dhe hendeku i mbrojtjes përmes sigurimeve ndaj këtyre fenomeneve të natyrës është i madh. Në përballimin e dëmeve prej fatkeqësive natyrore, vendi mbështetet kryesisht në rialokime të fondeve publike, huamarrje apo ndihmës së donatorëve.

Duke vlerësuar dhe analizuar hendekun e financimit,Banka Botërore  sugjeron strategji për financimin e rrisqeve.

Tërmetet e mëdha në përgjithësi janë të rrallë thuhet në raport  por mund të rezultojnë në dëme shumë të mëdha të tilla si tërmeti i vitit 2019  që vlerësohet të shkaktojë mesatarisht 99 milion dollarë amerikanë dëme në vit.

Në të kundërt, përmbytjet shpesh shkaktojnë dëmtime të lokalizuara por më të shpeshta me një dëm mesatar të vlerësuar prej rreth 48 milion dollarë amerikanë ./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!