Eksportet ranë 9% në 2020-n; Dobët këpucët, rimëkëmben nafta e çeliku

schedule07:27 - 19 Janar, 2021

schedule 07:27 - 19 Janar, 2021

Eksportet e mbyllën vitin 2020 me një rënie prej 9% në raport me 2019-n, duke reflektuar pasojat që dha pandemia te kompanitë që kanë kontrata shitjeje jashtë vendit, kryesisht në Itali, rajon e shtete të tjera të BE-së. Në total, eksportet në 2020-n ishin 203.2 miliardë lekë.

Tkurrja ishte shumë e fortë në periudhën mars-maj, që përkon me karantinën në gjithë Europën. Në mars rënia ishte -36.2, në prill -44% dhe maj -22.7%. Ndërsa në dy muajt e parë, përpara fillimit të pandemisë, tendenca kishte qenë pozitive (+6.3%). Të gjitha grupet, me përjashtim të “ushqime, pije dhe duhan” shënuan tendencë të fortë tkurrëse, më e fortë për “tekstile dhe këpucë”, që është dhe grupi kryesor i eksportuar në vend.

Pas majit ritmet e rënies u frenuan, ndërsa në nëntor dhe dhjetor, eksportet iu rikthyen tendencës pozitive, të udhëhequra nga “makineri e pjesë këmbimi”, “materiale ndërtimi e metale” dhe ushqimeve.

Në dhjetor, eksportet u rritën me 5.4.%, pas zgjerimit prej 10% në nëntor.

Tekstilet dhe këpucët morën goditjen më të rëndë, u tkurrën 13.4%, më dobët këpucët

“Tekstilet dhe këpucët” janë grupi kryesor i eksportuar në vend, që u goditën më shumë nga pandemia. Ky grup e mbylli vitin me një tkurrje prej 13.4%, duke zbritur në 102.3 miliardë lekë. Pesha e këtij grupi ndaj eksporteve totale ishte 38%, nga 39% në vitin e mëparshëm.

Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë ndikuar në 60% të rënies totale për 2020-n.

Ky grup u ndikua ndjeshëm nga karantina e parë, që kufizoi lëvizjet dhe mbylli dyqanet në Europë, duke bërë që porositë për veshje e këpucë të mbeteshin stok. Ndërsa tekstilet arritën të diversifikoheshin duke prodhuar maska, apo veshje spitalore, më e vështirë ishte përshtatja për industrinë e këpucëe, që ka shënuar dhe tkurrjen më të fortë.

Pasi filluar të rimëkëmbeshin në verë, Eksportuesit pohojnë se ata po vijojnë të ndikohen negativisht nga karantina e dytë që po zbatojnë shumë shtete të Europës, sidomos Italia, çka ka ulur shitjet e veshjeve dhe këpucëve nga konsumatorët. Gjithsesi, në dhjetor, për herë të parë që nga fillimi i karantinës, eksportet e këtij grupi ishin në të njëjtin nivel me dhjetorin e një viti më parë.

Florian Zekja, nga Dhoma Kombëtare e Veshjeve, tha se fabrikat do të përballen me rënie të kërkesës edhe në 6-mujorin e parë të vitit 2021, pasi partnerët tregtarë, kryesisht në Europën Perëndimore, po zbatojnë masa të rrepta të kufizimeve në lëvizje.

Nga një anketim që zhvilloi shoqata “Pro-Eksport Albania” në fund të vitit të kaluar, rezultatet treguan se shumica e fabrikave prodhuese të industrisë së veshjeve dhe këpucëve po punon sot për mbijetesë. Kufizimet e prodhimit gjatë pandemisë sollën largimin e detyruar nga puna të mijëra punonjësve të industrisë për periudhën mars-qershor 2020. Sektori është humbësi më i madh në punësim në Shqipëri, për shkak të COVID-19.

Përmirësohen metalet, por viti mbyllet me tkurrje 7.9%

Eksportet e “Materiale Ndërtimi, metale”, vijuan performancën pozitive edhe në dhjetor, duke u rritur me 42.4% me bazë vjetore, pas zgjerimit me 26% në nëntor. Burime nga prodhuesi i çelikut Kurum ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend thanë se nga gushti e në vazhdim shitjet kanë qenë në rritje dhe kjo tendencë pritet të vazhdojë. Krahas shtimit të kërkesës nga vendet e rajonit ka pasur dhe rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, duke favorizuar kompaninë. Gjatë 2020-, shitjet e Kurum u zgjeruan edhe në tregun serb, krahas Kosovës e Maqedonisë.

Edhe Kurum, eksportuesi i dytë më i madh në vend u detyrua të mbyllë prodhimin për pak javë në prill, si rrjedhojë e situatës së krijuar nga pandemia. Për 12 mujorin, ky grup shënoi një tkurrje prej 7.9%. Eksportet e “materiale ndërtimi dhe metale”, e mbyllën vitin në nivelin e 42 miliardë lekëve, ose rreth 16% të totalit, duke u renditur në grupin e dytë më të madh eksportues në vend.

Mineralet e lëndët djegëse bien me 20.6% për 12 mujorin

Eksportet e minerale, lëndë djegëse energji ranë me 29.5% në dhjetor, pas zgjerimit me 14.5% në nëntor, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për vitin 2020, shitjet e këtij grupi ranë me 20.6%, në gati 40 miliardë lekë. KY grup ka zbritur në të tretin më të madh të eksportuar, me 15% të totalit (nga 17% në 2019-n).

Burime nga Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, thanë se shitjet po favorizohen nga rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, që i ka kaluar 50 dollarë për fuçi, por ecuria mujore është e lidhur me përpunimin e anijeve që nisen drejt Soanjës, që ëhstë destinacioni kryesor i eksporteve.

Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend u prek nga pandemia në pjesën e parë të 2020-s, duke u detyruar të ndërpresë aktivitetin në prill, për më shumë se një muaj, për herë të parë në histori, teksa nafta zbriti në 20 dollarë për fuçi, konsumi global ra dhe aktiviteti i rafinerive partnere u reduktua në minimum. Si pasojë, planet ambicioze të ‘Bankers’ për intensifikim të aktivitetit hidrokarbur u ndalën gjatë kësaj periudhe, duke ndikuar negativisht në planet për hapjen e puseve të reja.

Ushqimet vijojnë tendencën pozitive, arrijnë nivelin e mineraleve e lëndëve djegëse

Grupi që nuk e ka ndier pandeminë është ai i ushqimeve, pijeve e duhanit, që vijoi tendencën pozitive edhe në dhjetor (+.13%). Ky është grupi me rritjen më të madhe për 12 mujorin, me 10.4%. Prodhimi ka vijuar i pashqetësuar nga pandemia, edhe kërkesa ka qenë e lartë, ndërsa janë shtuar dhe destinacionet e eksportit, kryesisht në vendet nordike. Eksportet e “ushqime, pije duhan” arritën në 39 miliardë lekë në 2020-n, duke zënë 14% të totalit, nga 12% që ishte kjo peshë në 2019-n. Për herë të parë në histori, eksportet e këtij grupi janë pothuajse në të njëjtat nivele sa ato të mineraleve e lëndëve djegëse.

Përfaqësues të kompanisë “Doni Fruits”, eksportuesi më i madh në vend i prodhimeve bujqësore, thanë se eksportet ishin më të larta në 2020-n. Ata parashikojnë zgjerim të aktivitetit këtë vit, prej kontratave të reja dhe rritjes së sasive të eksportit. “Doni Fruits” eksporton në 35 vende të Europës dhe së fundmi, ka nënshkruar një kontratë furnizimi në Arabinë Saudite. Një pjesë e suksesit ka ardhur falë përmirësimit të zinxhirit të vlerës, pasi kompanitë eksportuese po asistojnë me këshilla fermerët dhe po sjellin fara dhe fidanë që të prodhojnë për kërkesën e vendeve partnere.

Lulëzimi i industrisë automotive

Eksportet e grupit “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, e morën veten shpejt pas tkurrjes në muajt e pandemisë. Ky grup vitet e fundit ishte rritur me ritme dy shifrore, duke reflektuar hapjen e fabrikave të reja që prodhojnë produkte për industrinë automotive globale. Në dhjetor, ky grup u rrit me 54.8 %, pas zgjerimit të fortë prej 62.8%, në nëntor. Ky grup e ka tejkaluar edhe krizën e pas pandemisë, duke u rritur me 7.2.% për 12 mujorin, për të arritur në 22.3 miliardë lekë, ose 8% të totalit (nga 7% një vit më parë).

Rritja e peshës së automotiveve në tërësi tek eksportet e grupit ku bëjnë pjesë vjen së pari vjen si efekt i hapjes së dy fabrikave të reja gjatë këtij viti. E para është koreano-jugorja Yura Corporartion në zonën e Fierit dhe e dyta japonezja Seës Cabind Albania në Tiranë. Nisja e prodhimit në këto dy fabrika me disa qindra të punësuar ka dhënë efekt pozitiv në eksporte duke amortizuar edhe rënien e mundshme të kompanive të tjera aktive. Ertjan Çabiri, Drejtor Menaxherial i Delmon Group Albania shprehet se pavarësisht pandemisë puna i është kthyr ritmit dhe viti do të mbyllet ndoshta me 20 për qind më pak buxhetim në raport me planin fillestar.

Agim Zeneli, Menaxher Logjistike, “Forschner Albania” tha se viti 2020, në aspektin e prodhimit dhe kërkesave të klientëve parashikohet të mbyllet sipas planit të fillimit. “Është i njëjti plan kur situata e pandemisë nuk kishte ndikim në Shqipëri por edhe në vendet ku ne eksportojmë dhe furnizojmë zinxhirin e sektorit automotiv si Gjermania, Franca, Spanja, India, Çekia. Kjo do të thotë se Forschner ka punuar me kapacitet të plotë për të plotësuar kërkesat e klientëve, dhe me një numër punonjësish në rritje progresive të lehtë. Krahasuar me periudhën e pranverës (lock-doën) aktualisht, në numër punonjësish kemi një rritje prej 10% e cila përkthehet në më shumë prodhim për t’ju përgjigjur kërkesave të klientëve” nënvizon ai.

Deficiti në ulje

Gjatë vitit 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 272 mld lekë, duke u ulur me 9,0%, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 605mld lekë, duke u ulur me 6,8%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 333 mld lekë, duke u ulur me 4,9%, krahasuar me vitin 2019

Tregtia sipas shteteve, ulet Italia, rritet Gjermania

Në muajin Dhjetor 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Dhjetor2019janë: Italia(4,8%),Kosova(21,1%) dhe Greqia(6,8%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Spanja(61,4%), Gjermania(10,2%) dhe Mali i Zi(15,1%).

Gjatë këtij dymbëdhjetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (12,8%),Greqia (3,4%) dhe Maqedonia e Veriut(3,4%).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia(13,7%), Kosova( 12,0%) dhe Spanja (30,4%).

Në muajin Dhjetor2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Dhjetor2019janë:Italia(19,1%), Greqia (42,1%)dhe Kina(1,0%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Turqia(9,4%), Gjermania (0,4%) dhe SHBA (7,1%).

Gjatë këtij dymbëdhjetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Greqia (0,2%), Gjermania (0,3%) dhe Serbia (77,8%).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (7,4%),Turqia (6,2 %) dhe Kina (9,5%)./Monitor