Atletja shqiptare Luiza Gega, e cila po merr pjesë në kampionatin Europian që po zhvillohet në Berlin, e ka mbyllur garën e 3000 metrave me pengesa në kohën 9 minuta 33 sekonda e 11 të qindat, duke u renditur e dyta.
Në këtë mënyrë atletja shqiptare ka arritur të sigurojë kualifikimin në finalen e madhe që do të zhvillohet të dielën në orën 20:55.
Koha më e mirë e Luiza Gegës këtë vit është 9 minuta e 22 sekonda, e cila është koha e dytë më e mirë në këtë sezon nga të gjitha atletet garuese që marrin pjesë në këtë Kampionat Europian të Atletikës.
Ndaj dhe shpresat mbeten të mëdha për Luiza Gegën, e cila vetëm një muaj më parë në qershor të këtij viti fitoi medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare të Taragonës. /abcnews.al