Këtë fundjavë në Serie A do të zhvillohet një nga përballjet më të bukura, ajo mes Interit dhe Juventusit. Derbi i Italisë vjen në një moment shumë interesant, kur gara për titullin kampion është më e hapur se kurrë. Megjithatë, ish-sulmuesi i Interit dhe Milanit, Bobo Vieri, mendon se kjo ndeshje nuk do të ndikojë tek gara për Scudetton si dhe vlerëson kuqezinjtë për sezonin që po zhvillojnë.
“Të dielën janë vetëm tre pikë në lojë dhe skuadra që do të humbasë nuk do të dalë nga gara për titullin kampion. Si Interi dhe Juventusi do të luftojnë deri në fund për Scudetton, edhe pse janë shumë ekipe që duan të rrëzojnë bardhezinjtë nga froni.
Do të jetë një ndeshje e bukur në “San Siro” dhe pres gola nga Lukaku e Ronaldo. Në fakt unë dhe Romelu jemi të ngjashëm, pasi jemi të dy të gjatë dhe luajmë me këmbën e majtë”, deklaron italiani.
“Milani? Janë me meritë në vendin e parë, pasi po kalojnë një sezon të shkëlqyeshëm. Tani që do të kthehet dhe Ibrahimovic do të bëhen edhe më të fortë. Me siguri që dhe ata do të luftojnë deri në fund për titullin”, përfundon Vieri. /abcnews.al