Faji për skandalin tek “Shefqet Ndroqi” nuk e ka sanitarja, por i gjithë sistemi. Kështu është shprehur ekspert i Partisë Demokratike për shëndetësinë Gazmend Koduzi në një bisedë me gazetarin Juli Xhokaxhi në ABC.
Emisioni “Stop” transmetoi mbrëmjen e së martës rastin në spitalin Covid 2, ku një sanitare hiqej si infermiere dhe i mori një të reje një shumë të madhe parash për t’u kujdesur për të ëmën e shtruar për shkak të koronavirusit. Por kjo e fundit fatkeqësisht ndërroi jetë.
Lexo edhe: Pagoi 8 mln lekë, por s’i dhanë as bukë, mesazhet rrëqethëse të nënës për vajzën: Mos më le me vdek
Koduzi u shpreh se stafi infermieror tek “Shefqet Ndroqi” apo spitale të tjerë është i pamjaftueshëm për të përballur fluksin e kësaj kohe.
“Një infermiere me 30 pacientë s’ka kohë të merret me të gjithë. I afërmi ankohet, atëherë çfarë bën një i afërm jashtë, gjen mundësinë që të kujdeset siç duhet.”
Gazmend Koduzi u shpreh po ashtu, se gjesti korruptiv mbetet në ndërgjegjen e sanitares, nëse ajo nuk i ka ndarë paratë me persona të tjerë, por në këtë rast nuk ka munguar as neglizhenca e mjekëve apo infermierëve.
“Çështja është e sistemit, standarteve, kemi më pak infermier e mjekë për shtrat edhe në kohë normale. Nuk është faji i pastrueses, është faji i ambientit, asaj nuk i jepet ushqim, uji.”
Sanitarja u vu në pranga, por sipas ekspertit të PD për shëndetësinë, duhet të bëhet një auditim klinik.
Ndërsa, gazetarja Ema Shazivari duke raportuar nga “Shefqet Ndroqi” thotë se aktualisht në këtë spital ka vetëm pacientë të shtruar ditëve të fundit, dhe familjarët e tyre nuk kanë ankesa për shërbimin. Nga vetë spitali nuk ka ende një reagim zyrtar për ngjarjen.
Kurse, Koduzi thotë se transparenca dhe informimi i familjarëve janë dy pika kyçe ku sistemi ynë ka dështuar në menaxhimin e kësaj krize. Sipas tij, ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, është përgjegjëse për të gjithë këtë situatë dhe se duhet të japë dorëheqjen. s.b/abcnews.al/