Selahi në udhëkryq te Twente, “Ferrarin” Sadiku e duan në Itali

schedule10:59 - 13 Janar, 2021

schedule 10:59 - 13 Janar, 2021

Armando Sadiku dhe Lindon Selahi nuk kanë pasur mundësinë të tregojnë vlerat e tyre në pjesën e parë të këtij sezoni. Dy lojtarët e kombëtares këtë muaj mund të ndryshojnë skuadër, por mbetet të shihet se si do të ndodhë diçka e tilla, pasi janë nën kontrata.

Sadiku, nga Malaga kaloi te Erzurumspor këtë verë dhe një dëmtim e penalizoi në fillim. Më pas nuk mori minuta dhe ende është në kërkim të golit të parë në kampionatin turk. Deri më tani Sadiku ka luajtur vetëm një ndeshje si titullar dhe përfaqësuesit e tij kanë nisur të shohin për ndonjë opsion.

Në Itali ka nisur të lakohet emri i sulmuesit shqiptar dhe bëhet fjalë për klubin e Serie B, Cosenza. Këta të fundit e kanë në listën e objektivave Sadikun, i cili në të shkuarën është përfolur edhe për të luajtur në Serie A. Kjo ndodhi pas Euro 2016.

SELAHI – Mesfushori i ri vjet mori minuta të rëndësishme me Twente në Holandë dhe fitoi edhe një vend në kombëtaren shqiptare. Këtë sezon gjërat nuk kanë shkuar aspak sikur Selahi e kishte menduar, ndaj edhe ka kërkuar largimin.

Holandezët sigurisht duan të përfitojnë nga transferimi i mesfushorit, të cilit i përfundon kontrata në fund të këtij sezoni. Gjithsesi gjithçka është në dorë të Twente, pasi ka një klauzolë për ta zgjatur edhe një vit nëse dëshiron. /abcnews.al