Presidenti në largim Donald Trump ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Uashington para ceremonisë së inaugurimit të Joe Biden, më 20 janar.
Pas raportimeve nga FBI se ka rrezik për sulme në Uashington, por edhe qytete të tjera të vendit, presidenti, pas një takimi edhe me zëvendësin e tij, Mike Pence, vendosi me një urdhër ekzekutiv shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nga 11 janari deri më 24 janar.
“Veprimi i Presidentit autorizon Departamentin e Sigurisë Kombëtare, Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA), për të koordinuar të gjitha përpjekjet për lehtësimin e katastrofave që kanë për qëllim lehtësimin e vështirësive dhe vuajtjeve të shkaktuara nga emergjenca në popullatën lokale, dhe për të siguruar ndihmën e duhur për të kërkuar masa emergjente, të autorizuara sipas Titullit V të Aktit Stafford, për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur pronën dhe shëndetin dhe sigurinë publike, dhe për të zvogëluar ose shmangur kërcënimin e një katastrofe në Distriktin e Kolumbisë”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Si pasojë, në rrugët e kryeqytetit amerikan kanë mbërritur qindra trupa të Gardës Kombëtare. Deri në fundjavë pritet që të kenë mbërritur deri në 6000 personel ushtarak, ndërsa Pentagoni po mendon ta rrisë këtë numër deri në 13 mijë. Një pjesë e tyre janë pozicionuar tashmë rreth godinës së Kongresit, të sulmuar nga mbështetësit e Trump. Godina është rrethuar me gardhe metalike, sikurse edhe Shtëpia e Bardhë.
Për mbarëvajtjen e ceremonisë dhe shmangien e episodeve të dhunës po bashkëpunojnë autoritetet vendore në Uashington, por edhe agjenci të Departamentit të Drejtësisë.


