Ademi në “Log.”: 1700 banorë në Shkodër rrezikohen nga përmbytjet! Kur normalizohet situata

schedule21:31 - 11 Janar, 2021

schedule 21:31 - 11 Janar, 2021

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka deklaruar në ABC se nuk ka marrë asnjë telefonatë nga kryeministri i cili ishte ditën e sotme në Shkodër për monitorimin e situatës nga përmbytjet. Ajo tha se i vetmi nga qeveria që e ka kontaktuar ka qenë ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi por pa shkuar deri në koordinim të menaxhimit të situatës.

Ademi deklaroi se janë rreth 1700 banorë të rrezikuar nga përmbytjet sot në Shkodër për shkak të prezencës së ujit në oborret e tyre ndërsa theksoi se do të duhet të paktën një muaj për normalizimin e situatës.

“Këtë pasdite në Dajç ka kaluar sipërfaqja e përmbytur 800 hektarë. Sonte mund të kemi një rritje. Kemi pasur evakuime. Në total bëhet fjalë për rreth 1700 banorë të rrezikuar që kanë prezencë uji në oborre dhe deri tani nuk ka hyrë në shtëpi. Në obot, në Murriqan, në Dajç, në Prush. Ne raportojmë çdo orë në fakt. Edhe në media në mënyrë direkte. Ne komunikojmë edhe direkte përmesa raportit të publikuar në faqen e bashkisë Shkodër. Deri më tani ne kemi operuar duke menaxhuar në nivelin vendor. Ne kemi një ujësjellës jashtë funksionit në Obot.

 Kemi furnizuar çdo ditë zonën me ujë të pijshëm. Kemi bërë të mundur të transportojmë ujin e pijshëm që është nevojë prioritare. Ne vuajmë nga emergjencat civile. Bashkia e Shkodrës gjithmonë ka një plan. Kemi për rreth 1000 familje ushqime dhe materiale higjenike. Kemi bërë gati edhe vendstrehim nëse do kemi nevojë për evakuim. Këto janë ditët e para të një emergjence. Ai uji që është në fushë do kërkojë kohën e vet dhe mund të shkojë edhe një muaj për të shkuar në situatë normale. Nevoja më e domosdoshme është për blegtorinë për ato familje që sigurojnë dimrin. Peleshi më ka marrë në telefon kur po largohej nga qyteti dhe më tha si i keni hallet. Nuk jam kontaktuar nga ministrat e tjerë dhe as nga kryeministri”, u shpreh Voltana Ademi./mv.abcnews.al