Reshjet në Elbasan tashmë janë me intensitet të mesëm dhe të ulët, por gjithsesi prurjet në Shkumbin mbeten të larta. Gazetari Aldo Kozarja raporton se dy argjinatura janë shembur në Shkumbin, ndërsa shton se situata mbetet kritike në Peqin.
Dy ura në Cingelaj janë dëmtuar, ndërsa në Pajovë, ura e ngjitur me digën rrezikon që të shembet, duke shkaktuar kështu një situatë problematike.
Në aksin Elbasan-Peqin, argjinatura e Shkumbinit ka pësuar një çarje rreth 22 metra. Kjo përbën rrezik për automjetet që kalojnë në këtë aks nacional. Prefekti Klevis Xhoxhi thotë për ABC se kanë kontaktuar me firmën kontraktuale që të vijë e të bëjë riparimin e argjinaturës.
Po ashtu, Xhoxhi thotë se ka pasur probleme me energjinë elektrike në disa fshatra apo njësi administrative në Gramsh, Elbasan e Librazhd.
Kozarja raporton se në zonat e rrezikuara, ka banesa që janë shumë pak metra larg nga ura dhe diga. s.b/abcnews.al/