Nga Erneta Shevroja
Në mesin e muajit tetor, Ilirjan Celibashi do të deklaronte se janë 0 emigrantë të regjistruar.
Dy muaj pak kësaj deklarate, KQZ në një raport të fundit thotë se janë 32 mijë shtetas shqiptarë të regjistruar që banojnë jashtë vendit.
Në projektvendimin e fundit mbi “rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit për zgjedhjet e kuvendit” që ende është në konsultim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka të detajuar se si emigrantët shqiptarë do të mund të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit.
Për herë të parë, institucioni përgjegjës për zgjedhjet, jep shifrën e 32 mijë shqiptarëve që jetojnë anë e kënd botës, të cilët janë regjistruara. Shifra i referohet Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.
Regjistrimi i adresave të banimit është kriteri i parë për ata që duan të votojnë nga jashtë vendit, gjë që realizohet përmes portalit E-Albania.
Kriteri i dytë është që të kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë. Për këtë parashikohet që Komisioni të ngre një sistem teknologjik për të regjistruar fillimisht kërkesat e emigrantëve, pasi ata kanë deklaruar adresat e vendbanimit.
KQZ do të bëjë verifikimin e çdo personi nëpërmjet dy mënyrave: përmes të dhënave personale dhe familjare dhe përmes identifikimit me “Face ID”, ose siç njihet ndryshe për identifikimit të fytyrës.
I gjithë procesi i regjistrimit duhet të ndodh 60 ditë para datës së zgjedhjeve. Ndërsa lista përfundimtare e zgjedhësve nga jashtë vendit duhet të bëhet publike 50 ditë nga data e zgjedhjeve.
/abcnews.al/