Fitorja ndaj Milanit ka rritur entuziazmin te Juventusi, që nesër zbret sërish në fushë. Kampionët në fuqi do të përballen në shtëpi me Sassuolon të dielën (20:45), një nga surprizat më të bukura të këtij sezoni në Serie A.
Trajneri i bardhezinjve, Andrea Pirlo vlerëson ekipin kundërshtar në konferencën e zakonshme për shtypin, aty ku prek disa tema. “Duhet të përmirësohemi në forcën mendore dhe kur kalojmë në avantazh.
“Pres një përballje të vështirë. Sassuolo është një skuadër e shkëlqyer, luajnë prej vitesh bashkë dhe kanë një trajner të aftë në ndërtimin e lojës. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur nuk do e kemi ne topin.
Nuk duhet t’u lëmë hapësira, pasi ata janë mjaft të aftë për të dalë nga presioni i kundërshtarëve dhe për t’u nisur drejt portës. Presioni është normal mbi ne, pasi jemi një skuadër që fitojmë titullin prej 9 vitesh.
Gjithsesi, skuadra për t’u mundur është Milani, pasa ata kryesojnë Serie A. Të dëmtuarit? Demiral ndodhet disi më mirë se Chiellini, Giorgio e ka marrë veten, por stërvitet me vazhdimësi dhe shumë shpejt do e shihni titullar.
Më pëlqeu loja e Kulusevskit ndaj Milanit. U fut në fushë dhe bëri mirë, e komplimentova në fund. Nesër titullar? Të shohim, pasi mund të jetë një armë shtesë gjatë ndeshjes. Morata ndihet mirë, por s’e kemi vendosur akoma nëse do e nisë si titullar.
Chiesa? Ndjeu probleme në ije ndaj Milanit dhe kërkoi zëvendësim. Gjithsesi, gjithçka është në rregull dhe është gati për lojë. E njoh mirë dhe nuk më ka befasuar aspak rendimenti i tij i lartë“, deklaron trajneri i Juventusit. /abcnews.al