Luftëtari mund të hetohet nga UEFA për ndeshjen me Ventspilsin

schedule14:06 - 7 Gusht, 2018

schedule 14:06 - 7 Gusht, 2018

Luftëtari i Gjirokastrës dyshohet se mund të ketë trukuar ndeshje në kupat kontinentale. UEFA pritet të hapë hetim për takimet e turit të parë eleminator të Ligës së Europës.

Një tjetër skuadër shqiptare mund të jetë në telashe. Luftëtari i Gjirokastrës pritet të hetohet nga UEFA për dyshime trukimi në ndeshjet e Ligës së Europës ndaj skuadrës letoneze, Ventspils.

Informacioni vjen nga Rumania, nga media e njohur “Gazeta Sporturilor” e Bukureshtit, e cila shkruan se dyshimet janë të mëdha për barazimin 3-3 në “Elbasan Arena”, ndonëse edhe sfida e parë në Letoni nuk është se nuk shqetëson.

Golat erdhën për gabime të mbrojtësve dhe portierit, ndërsa në ndeshjen e parë, që përfundoi 5-0 për Ventspilsin, të pesë rrjetat u shënuan në pjesën e parë.

Ata që merren me kompanitë e basteve, informuan se koeficientët patën lëvizje aspak normale për takimin e kthimit në Shqipëri, sidomos përpara dy golave të letonezëve, dhe përpara golit të fundit të tyre, që solli barazimin 3-3.

Luftëtari hodhi poshtë çdo akuzë dy ditë pas mbylljes së turit të parë eleminator, duke dalë me deklaratë zyrtare, e duke e quajtur atë që ndodhi thjesht një dështim sportiv.

Klubi u kërkoi tifozëve dhe mediave të mos harronin meritat e ekipit që u kualifikua për herë të parë në Ligën e Europës.

Gjithsesi, pritet se çfarë do të bëjë UEFA, e cila më parë dënoi me 10 vjet skuadrën tjetër shqiptare, Skënderbeun, duke e akuzuar për trukim rezultatesh.

UEFA, po sipas mediave rumune, mund të hetojë edhe dy ndeshje të tjera që cilësohen të dyshimta, Sarajevo-Atalanta 0-8 dhe Rio Ave-Jagiellonia 4-4. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!