Sulmi ndaj Kongresit Amerikan, 15 persona të akuzuar për nxitje të dhunës

schedule09:06 - 9 Janar, 2021

schedule 09:06 - 9 Janar, 2021

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se ka ngritur aktakuza ndaj 15 persona që janë përfshirë në sulmin në Kongres, përfshirë këtu një person i cili akuzohet për posedim të bombave.

Departamenti tha se ka arrestuar disa të dyshuar, përfshirë edhe Richard Barnett, mbështetës i presidentit në largim të SHBA-së, Donald Trump, i cili kishte hyrë në zyrën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Në mesin e të arrestuarve është edhe një person, të cilit i ishin gjetur në makinën e tij 11 koktej molotovi.

Prokurori Ken Cole tha se të arrestuarit e tjerë janë akuzuar për vepra të ndryshme. Ai tregoi se një person është akuzaur pasi ka hyrë me armë zjarri në Kongres, një tjetër sepse ka goditur një zyrtar policor, ndërkaq, një ligjvënës nga Uest Virxhinia është akuzuar se ka marrë pjesë në sulmin në Kongres.

Cole tha se FBI-ja po heton këtë ngjarje dhe persona të tjerë pritet të arrestohen dhe akuzohen.

“Ky hetim ka prioritetin më të lartë”, tha ai, duke shtuar se “qindra hetues” në Departamentin e Drejtësisë po punojnë për këtë rast.

Dhjetëra persona janë arrestuar nga policia lokale në Uashington, pas protestave të dhunshme, por aktakuzat për të cilat njoftoi prokurori Cole, janë në nivelin federal dhe për to ka dënim më të rëndë.

Protestuesit e dhunshëm, mbështetës të Trumpit, më 6 janar sulmuan Kongresin, teksa po mbahej një mbledhje e përbashkët për certifikimin e fitores në zgjedhjet presidenciale të Joe Biden.

Për shkak të hyrjes së protestuesve brenda Kongresit, seanca u ndërpre për disa orë, por pas rinisjes së punimeve, Kongresi certifikoi fitoren e Bidenit.

Bideni do të inaugurohet si president i SHBA-së më 20 janar dhe presidenti në largim, Trump ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në këtë ngjarje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!