Nga Maksi Rama
Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë sjellë jo pak problematika në zona të ndryshme të vendit. Sipas Meteoalb reshjet kanë qenë intensive kryesisht në zonat veriperëndimore dhe qendrore.
“Reshjet e shiut kanë qenë herë pas herë me intensitet mesatar edhe intensiv duke sjellë problematika të përkohshme në zonat veri-perëndimore. Reshjet e shiut do të vijojnë të mbeten prezente në vendin tonë, por në sasi më të pakët se ato që kanë rënë gjatë ditës së djeshme dhe sot në mëngjes”, sqaron meteorologu Hakil Osmani.
Edhe gjatë fundjavës çadrën do duhet ta marrim me vete, pasi reshjet e shiut edhe pse me intensitet më të ulët do të jenë prezente pothuajse në të gjithë vendin.
“Ditët në vijim pritet që të kemi sasi më të pakta të reshjeve të shiut, duke bërë që edhe problematikat të jenë më të pakta”, thotë Osmani.
Java e ardhshme pritet të sjellë një dobësim të reshjeve të shiut, por temperaturat do të pësojnë rënie graduale. /abcnews.al