Bashkia e Durrësit bën bilancin e dëmeve nga përmbytjet: Priten reshje intensive ditët në vijim

schedule14:48 - 8 Janar, 2021

schedule 14:48 - 8 Janar, 2021

Foto ilustruese

Bashkia e Durrësit ka njoftuar qytetarët lidhur me situatën e krijuar nga moti i keq në Durrës nga reshjet e shumta të shiut. Në njoftimin e shpërndarë për mediat thuhet se janë krijuar problematika për shkak të daljes nga shtrati të lumenjve Erzen dhe Ishëm duke u mbushur tej kapacitetit të kanaleve kulluese.

Sipas IGJEUM priten reshje intensive duke filluar nga sot e disa ditë në vazhdim. Bashkia e Durrësit thekson se të gjitha ndërmarrjet e saj në varësi janë dhe do të vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve si dhe në gatishmëri të plotë për të përballuar situatat e mundshme emergjente

“Reshjet e ditëve të fundit kanë krijuar një situatë shqetësuese në përgjithësi për shkak të daljes nga shtrati të lumenjve Erzen e Ishëm, duke mbushur tej kapacitetit kanalet kulluese, përmbytur toka bujqësore, banesa, rrugë e biznese. Në njësinë Administrative nr. 6 në rreth 15 banesa që ndodhen nën nivelin e rrugës ka depërtuar uji. Në Njësinë Administrative Rrashbull fshati Xhafzotaj ka përmbytje banese e biznesi, ndërsa në fshatin Pjeshkë përbën rrezik kalimi shembje e një ure-tombino. Në zonen ujëmbledhese te lumit Erzen përgjatë rrjedhës të tij nga fshati Jubë deri ne kufi me Bashkinë Shijak rezulton kjo gjendje:

  • Në Fshatin Jubë njësia Katund i Ri, u evakuuan 2 familje duke i sistemuar tek të afërmit e tyre.
  • Në Fshatin Rrushkull, u evakuuan 10 persona me ndihmën e mjeteve të Policisë Bashkiake dhe u akomoduan ne ambientet e Kavaleshencës së Ministrisë së Rendit.
  • Në fshatin Vadardhë njësia Sukth, kanali i Tonës ka dalë nga shtrati duke përmbytur 4 banesa dhe rreth 20 ha tokë bujqësore.
  • Në lagjen e Pallateve dhe ne Lagjen Stalla, ka përmbytje nga reshjet e dëndura si dhe rrezikohen nga dalja e lumit Erzen.
  • Në Ishëm, lumi Ishëm ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur toka bujqësore ne Kërtushaj e Likmetaj. Gjithashtu ka dëmtuar rrugën në Lalëz e Draç
  • Në Rrashbull fshati Shkallnur ka rrëshqitje dheu e bllokim i rrugës për të subjekti Kodra e Kuajve. Ndërmarrja Rruga po punon për zhbllokimin e saj.

Sipas IGJEUM priten reshje intensive duke filluar nga sot e disa ditë në vazhdim në Durrës por bashkia me të gjitha kapacitetet e veta dhe shtabi i emergjencave kanë marrë masat dhe vijojnë punën në terren për zgjidhjen e problematikave të deritanishme si dhe janë në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së krijuar. Bashkia e Durrësit dhe të gjitha ndërmarrjet e saj në varësi janë dhe do të vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve si dhe në gatishmëri të plotë për të përballuar situatat e mundshme emergjente që mund të krijohen nga reshjet që do të vijojnë të jenë të dendura por edhe për tju përgjigjur menjëherë çdo banori të bashkisë Durrës që mund të ketë probleme nga kjo situatë”, thuhet në njoftim./mv.abcnews.al