Nga Erblina Mile
Qeveria shqiptare ka hapur procedurat për dhënien me koncesion të Portit të Vlorës vetëm 3 muaj para zgjedhjeve elektorale. Ky koncesion është në kundërshtim të plotë me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i cili u ka ndaluar institucioneve publike që nga 25 dhjetori dhënien e koncesioneve.
Ky vendim është bërë me arsyetimin se tenderë të tillë 4 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve mund të kenë efekte elektorale. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë publike dokumentet ku theksohet se dhënia me koncesion e tipit PPP do të jetë për 35 vite ndërsa vlera e investimit 22.7 mln euro. Të gjitha kompanitë e interesuara duhet të dorëzojnë ofertat të cilat do të hapen në 26 shkurt.
Projekti koncesionar/PPP “Për Ndërtimin, Operimin dhe Transferimin e një Porti Turistik në Qytetin e Vlorës” është propozimi i pa kërkuar i miratuar nga Autoriteti Kontraktues.
Përparësi në përzgjedhjen e fituesit do të ketë eksperienca në projektimin e porteve te ngjashme gjatë 10 viteve të fundit.
Vendndodhja e parashikuar e objektit është në qendër të qytetit të Vlorës dhe konkretisht në portin aktual të këtij qyteti i cili është nën administrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas të dhënave në dokumentet e tenderit Porti i Vlorës është pjesë e Master Planit të Lungomares e cila do t’i marrë një pjesë të konsiderueshme nga sipërfaqja e portit.
Projekti i ri i Marinës në Vlorë duhet të sigurojë një vend-ankorim të sigurt dhe funksional gjatë gjithë vitit për flotat moderne të jahteve. Porti duhet të jetë një vend i aksesueshëm gjatë gjithë stinëve dhe duhet të ketë një hapësirë për akomodimin e 400 anijeve./mv.abcnews.al