Partizani bën përgatitjet e fundit përpara nisjes së Superligës, me ndeshjen ndaj Skënderbeut. Skuadra e trajnerit Skënder Gega synon të fitojë më në fund kampionatin.
Liga e Europës u la pas dhe objektivi i madh është titulli.
Partizani është zhvendosur në Elbasan, ku vazhdon përgatitjet për sezonin e ri të Superligës e të Kupës së Shqipërisë, me shpresë të triumfojë në kampionat pas 26 vitesh.
Trajneri Skënder Gega provoi edhe një herë formën e lojtarëve të tij dhe skemat që do të përdorë gjatë edicionit, këtë herë në miqësoren e luajtur ndaj Tomorrit të Beratit, në Rrogozhinë.
Ishte një sfidë e dominuar plotësisht nga kryeqytetasit, që triumfuan 6-1, me gola të shënuar nga Daci, Progni, Gojkoviç, Hila, Trashi dhe një autogol i beratasve.
Gega nuk mundi të aktivizonte në këtë miqësore disa nga lojtarët e rëndësishëm si Hebajn, Asanin e Belicën, pasi kanë pësuar dëmtime dhe janë në fazë rikuperimi.
Ka një javë që të kuqtë stërviten në Elbasan, dhe të mërkurën do të luajnë ndeshjen përgatitore të radhës, atë ndaj Egnatias, po në stadiunmin e Rrogozhinës.
Në fundjavë, pritet një tjetër miqësore, që do të jetë përmbyllëse, përpara sesa vëmendja të përqëndrohet tek ndeshja e parë e Superligës, në fushën e Skënderbeut.
Problemi kryesor për Gegën dhe Partizanin është posti i qendërsulmuesit, ku Edgar Çani vështirë të arrijë të bindë e të kthehet në formën e tij të dikurshme. /abcnews.al