Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

A po përgatit Donald Trump një grusht shteti?

schedule14:43 - 7 Janar, 2021

schedule 14:43 - 7 Janar, 2021

Nga David Nakamura, Washington Post

Gjatë 4 viteve në detyrë, Presidenti Trump ka shkelur normat politike, ka sulmuar institucionet demokratike, duke synuar të diskretitojë agjencitë qeveritare, duke shitur teori konspirative të pabaza, dhe duke u fajësuar nga Kongresi për shkelje të rënda ligjore.

Që nga disfata e tij në zgjedhjet e nëntorit, kritikët e Trump kanë paralajmëruar se përpjekja e tij e “tokës së djegur” për ta bërë të pavlefshëm rezultatin, përbën një nivel të ri rreziku: përpjekjen e parë për grusht shteti në historinë e SHBA-së, për të mbajtur pushtetin në mënyrë të paligjshme.



Ky alarm u shtua këtë javë pas zbulimit se Trump kërcënoi Sekretarin e Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger gjatë një telefonate private që zgjati 1 orë të shtunën e shkuar, gjatë së cilës presidenti i kërkoi të gjente mijëra vota për Trump, që në fakt nuk ekzistojnë.

Në mediat sociale, ekspertët konservatorë dhe liberalë, përdorën njëlloj termin “grusht shteti”. Po kështu bënë edhe ish-ndihmësi i George W.Bush, Nicolle Wallace, biografi i Trump Timothy L.O’Brien, analisti Larry Sabato dhe Garry Kasparov, kampioni botëror rus i shahut dhe themeluesi i Nismës së Demokracisë së Rinovuar.

“The Atlantic”, “New Yorker”, “The Nation”, “Vanity Fair” dhe BBC, kanë përdorur sërish të njëjtin term për të eksploruar degëzimet e sulmit të Trump mbi themelet demokratike të kombit amerikan. Në një telefonatë të datës 2 janar, presidenti Trump këmbënguli se ai i fitoi zgjedhjet në Xhorxhia, duke kërcënuar me pasoja të paqarta ligjore.

“Nëse ky nuk është një grusht shteti në tentativë, atëherë çfarë është?!” pyeti në profilin e tij në Twitter Charles M.Blow, një kolumnist liberal i“The New York Times”. Ndërkohë, historianët i cilësuan veprimet e Trump si të rrezikshme, të papërgjegjshme, të dëmshme dhe të pashembullta.

Por shumica e tyre, theksuan se sjellja e tij nuk përmbush ende përkufizimin zyrtar akademik të një përpjekje për grusht shteti, që zakonisht i referohet një përpjekje të mbështetur nga ushtria për të marrë pushtetin nga një qeveri legjitime.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të Pentagonit e kanë bërë të qartë se ushtria nuk ka asnjë rol në pasojat e humbjes elektorale të zotit Trump. Ky i fundit ka ngritur akuza të pabazuara për mashtrim zgjedhor në shkallë të gjerë, ka ushtruar presion ndaj Departamentit të Drejtësisë për të pohuar teoritë e tij të konspiracionit, ka menduar mundësinë e emërimit të një aleati të tij si një këshilltar të veçantë, për të hetuar pretendimet e tij, si dhe ka diskutuar privatisht efikasitetin e shpalljes së ligjit ushtarak në vend.

Të mërkurën, disa prej aleatëve republikanë të Trump në Capitol Hill, u përpoqën të bllokonin certifikimin në Kongres të fitores së presidentit të zgjedhur Joe Biden, 306 me 232 në Kolegjin Elektoral, pikërisht2 javë para se Biden të betohet dhe marrë zyrtarisht detyrën.

Historianët dhe politologët bien dakord se strategjia e Trump, përfaqëson një përpjekje të pacipë për të përmbysur ose “vjedhur” zgjedhjet. Disa thanë se ai po shkon drejt një “autogolpe”, një term spanjoll i popullarizuar në Amerikën Latine për të përshkruar një “grusht shteti të vetë-kryer”, që është tentuar nga udhëheqësit që erdhën në pushtet në mënyrë legjitime, dhe që më pas vepruan në mënyrë antiligjore në tentativë për ta mbajtur atë.

“Në terma teknikë, ndoshta nuk është një grusht shteti. Por sigurisht që është një përpjekje e paligjshme dhe autoritare për të qëndruar në pushtet”-thotë politologu Steven Levitsky, bashkautor me kolegun e tij profesor të Universitetit Harvardit Daniel Ziblatt të librit “Si vdesin demokracitë”, që tregon se si demokracitë kanë më shumë gjasa të shpërbëhen përmes një dobësimi të ngadalë por të qëndrueshëm të institucioneve.

Sipas hulumtimit të ri për një libër të ardhshëm, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, në gjithë botën ka pasur 583 përpjekje për grusht shteti, nga të cilat 288 patën sukses. Rreth 96 për qind e tyre u drejtuan nga ushtria, ndërsa shumica e të tjerave nga elitat civile, thotë John Chin, koordinator i kërkimit në Institutin për Politika dhe Strategji, dhe një nga bashkautorët e librit së bashku me Joseph Wright dhe David Carter.

Chin tha se të dhënat mbi autogolpet janë më pak të besueshme. Por ai vlerësoi se nga viti 1946 ka pasur 148 autogolpe, nga të cilat 110 ndodhën në autokraci dhe 38 në demokraci. Në shumicën e rasteve, udhëheqësi është përpjekur të pezullojë Kushtetutën, ose të diskretitojë degët gjyqësore apo ekzekutive të qeverisë.

Chin i quan të rrezikshme veprimet e Trump, por vuri në dukje se presidenti nuk ka mbështetjen e udhëheqësve ushtarakë apo të komunitetit të biznesit. Të hënën, më shumë se 170 drejtues të bizneseve të mëdha firmosën një letër, duke i kërkuar Kongresit të certifikonte rezultatet e zgjedhjeve.

Dhe 10 ish-sekretarët amerikanë të Mbrojtjes, përfshirë të emëruarit nga Trump, Jim Mattis dhe Mark T.Esper, bënë thirrje në një editorial të botuar në “The Washington Post” për një tranzicion paqësor të pushtetit në Pentagon.

“Nëse Trump vërtet po përpiqet të qëndrojë në detyrë pas 20 janarit, ai duhet të bëjë më shumë sesa vetëm t’i lutej më 2 janar sekretarit të shtetit të Xhorxhias për të bërë diçka”- thotë Chin. Por historiani i Universitetit të Jelit, Timothy D.Snyder, vuri në dukje përdorimin e Gardës Kombëtare nga Trump për të shuar demonstratat në Uashington verën e kaluar, si një provë që presidenti ka vendosur ta përdorë ushtrinë për qëllime politike.

“Ushtria nuk iu përgjigj pozitivisht, por kjo nuk do të thotë që ai nuk po përpiqet të qëndrojë me çdo kusht në pushtet”-thotë Snyder. Historiani mendon se njerëzit i shmangen në përgjithësi termit“grusht shteti”, pasi amerikanët mendojnë se diçka e tillë mund të ndodhë vetëm në vendet e huaja. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!