Georgia i lejon Joe Biden të ëndërrojë. Pas fitores së tij në muajin nëntor, kur Biden mori shtetin e jugut, tradicionalisht konservator me vetëm 12 mijë vota më shumë se Donald Trump, partia e tij është vetëm një hap larg fitores së plotë.
Në Georgia votohet për dy vende senatorësh të cilët mund të ndryshojnë të gjitha ekuilibrat politikë kombëtarë. Duke i marrë të dy, demokratët do t’i merrnin të djathtës kontrollin e senatit, një trofe i rëndësishëm për politikat e ekzekutivit të ri.
Qendrat e votimit janë mbyllur në një të natës me orën tonë, dhe ende nuk ka një rezultat përfundimtar. Numërimi mund të zgjasë dhe pse nuk dihet ende nëse janë numëruar të gjitha fletëvotimet me postë, përfshirë dhe ato të ushtarëve që janë me mision jashtë vendit.
Por me 99 për qind të fletëvotimeve të numëruara përqindjet janë emocionuese. Në duelin e parë është demokrati ai që është përpara: Rafael Uarnok, proft protestant afro amerikan i cili drejton kishën Ebenezer të Atlantës që ishte e Martin Luter King. Uarnok ka 50 mijë vota më shumë se senatorja republikane në largim Keli Loefler. Rrjeti televiziv EmSiEnBiSi e ka shpallur fitues, dhe ai vetë e ka deklaruar një gjë të tillë.
Dueli tjetër sheh me një avantazh prej rreth 12 mijë votash kandidatin tjetër demokrat: Xhon Osof 33 vjecar, kundër republikanit Dejvid Perdu, edhe ia një senator në largim. Meqenëse mbeten për t’u numëruar fletëvotimi që vijnë nga disa zona urbane me një numër të madh votuesish afro-amerikanë, të cilët historikisht votojnë për demokratët, në zonat e Atlanta dhe Savanna, disa analistë mendojnë se mund të flitet për një fitore të dyfishtë të demokratëve. Por ekziston dhe mundësia e një rinumërimi.
Ligji i Georgias e parashikon një gjë të tillë kur diferenca mes dy kandidatëve është më e vogël se 0.5 për qind. Rezultati përfundimtar në një rast të tillë do të dilte pas disa ditësh.
Dyshja fituese Uarnok – Osof do të ishte një mrekulli, meqenëse republikanët u futën në garë si fitues të mundshë. Do t’i hapte rrugën një mazhorance të plotë në kongres, duke i dhënë Biden si mbështetjen e senatit ashtu dhe të dhomës.
Ndryshimi do të ishte i dukshëm në krahasim me situatën aktuale, që e sheh senatin të kontrolluar nga republikanët. Një senat në duart e opozitës mund të bllokojë shumë ligje, në mënyrë të veçantë të gjitha manovrat e buxhetit, duke e detyruar presidentin të kërkojë kompromise të vazhdueshme.
Senati ndër të tjera ka më shumë pushtet në krahasim me Dhomën, ka pushtetin e ratifikimit të emërimeve më të rëndësishme, që nënkupton një kushtëzim për përbërjen e vetë ekzekutivit; të gjykatës së lartë dhe ambasadorëve në selitë më të rëndësishme jashtë vendit.
Pritja e rezultatit përfundimtar bëhet në një situatë jo pak të tensionuar. Janë të shumtë ata që pyesin se cili ka qenë efekti i ndërhyrjes së Trump tek zgjedhësit në Georgia. Trump vijon të kundërshtojnë ligjshmërinë e fitores së Biden. Ndërkohë New York Times raporton për një drekë pune shumë të tensionuar mes Trump dhe zëvendës presidentit të tij Mike Pence.
Në prag të seancës së kongresit në Uashington, gjatë së cilës do të ratifikohen rezultatet e kolegjit elektoral, Pens do të drejtojë pas pak orësh një event që vulos humbjen e shefit të tij. Por vetë Pens i ka shpjeguar Trump se kushtetuta nuk i jep asnjë pushtet për të përmbysur rezultatin. Seanca e kongresit do të hapet rreth orës 19 në orën tonë, në një kryeqytet federal ku vijojnë të mblidhen mbështetës të Trump./abcnews.al