Një ekipi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i cili do të hetonte origjinën e koronaviruist në Wuhan, i është mohuar hyrja në Kinë. Dy anëtarë ishin nisur për në Kinë, ndërsa tani njëri është kthyer dhe tjetri është tranzit në një vend të tretë.
OBSH tha se problemi ishte mungesa e lejeve të vizave. Hetimi i shumëpritur u dakordua nga Pekini në dhjetor pas shumë muajsh negociatash me OBSH.
Virusi u zbulua për herë të parë në Wuhan në fund të vitit 2019, ku mendohet se shpërtheu fillimisht në një treg, shkruan BBC, përcjell abcnews.al.
Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ishte “shumë i zhgënjyer” që Kina nuk kishte përfunduar ende lejet për ardhjet e ekipit “duke qenë se dy anëtarë kishin filluar udhëtimet e tyre dhe të tjerët nuk ishin në gjendje të udhëtonin në minutën e fundit”.
“Jam siguruar që Kina po shpejton procedurën e brendshme për vendosjen sa më të hershme të mundshme,” u tha ai gazetarëve të martën në Gjenevë, duke shpjeguar se kishte qenë në kontakt me zyrtarë të lartë kinezë për të theksuar se misioni është përparësi për OBSH dhe ekipin ndërkombëtar.
OBSH ka punuar për të dërguar një ekip prej 10 ekspertësh ndërkombëtarë në Kinë me qëllim që të hetojë origjinën shtazore të pandemisë dhe saktësisht se si virusi kaloi për herë të parë tek njerëzit.
Muajin e kaluar u njoftua se hetimi do të fillonte në janar 2021. Të dy anëtarët e ekipit ndërkombëtar që ishin nisur për në Kinë kishin udhëtuar herët të martën, tha OBSH. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, shefi i urgjencave të OBSH-së Mike Ryan tha se një ishte kthyer mbrapa dhe një ishte në një vend të tretë. g.v/abcnews.al