Në vijim të përpjekjeve për ripërtëritjen e marrëdhënieve, Rusia i ka propozuar Shteteve të Bashkuara që të bashkojnë forcat për rindërtimin e Sirisë. Por propozimi është pritur ftohtë nga Uashingtoni, që kërkon që procesi i rindërtimit të shoqërohet me një tranzicion politik.
Rusia ka përdorur një kanal komunikimi të ngushtë me krerët e ushtrisë amerikane, për të propozuar një bashkëpunim dypalësh me qëllim rindërtimin e Sirisë dhe riatdhesimin e emigrantëve në vendin e drobitur nga lufta. Lajmin e bën të ditur agjencia “Reuters”, që i referohet një memo-je të qeverisë amerikane. Sipas burimit, propozimi është bërë më 19 korrik nga shefi i shtabit të përgjithshëm rus Valery Gerasimov në adresë të gjeneralit të marinës amerikane Joseph Dunford. Plani rus, që nuk është publikuar më parë, është pritur ftohtë në Uashington, vijon “Reuters”, pasi pala amerikane e mbështet një përpjekje të tillë vetëm nëse shoqërohet me një zgjidhje politike që t’i japë fund luftës 7-vjeçare në Siri.
Propozimi – komenton “Reuters” – tregon se si Rusia, pasi e ktheu luftën në favor të Bashar al Assad po i bën presion Uashingtonit dhe palëve të tjera për rindërtimin e zonave që janë nën kontrollin e presidentit sirian. Dhe një lëvizje e tillë vetëm sa do të çimentonte më shumë pushtetin e Assad. “Regjimi sirian ka mungesë pajisjesh, karburanti, materialesh bazë dhe fondesh për të rindërtuar vendin dhe rrjedhimisht të pranojë riatdhesimin”, thuhet në memon ruse. Por Shtetet e Bashkuara mbeten të qëndrimit se procesi i asistencës së rindërtimit duhet të lidhet me një proces tranzicioni politik, që të përfshijë mbajtjen e zgjedhjeve të mbikëqyrura nga OKB./abcnews.al