Kryebashkiakja e Uashington aktivizoi rreth 340 trupa të Gardës Kombëtare në prag të përgatitjes së qytetit për protesta që mund të kthehen të dhunshme, ndërsa Kongresi pritet të votojë për të konfirmuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Sipas një zyrtari të mbrojtjes amerikane, Kryetarja e Bashkisë Muriel Bowser bëri kërkesën ditën e Vitit të Ri që trupat e Gardës Kombëtare të vendosen në rrugët e Uashingtonit nga 5 janari deri me 7 janar, për të ndihmuar qytetin nga protestat. Zyrtari tha se anëtarët e Gardës Kombëtare të Uashingtonit do të përdoren për kontrollin e trafikut, por nuk do të jenë të armatosur apo me mburoja ushtarake.
Kongresi po mblidhet këtë javë për të certifikuar rezultatet e Kolegjit Elektoral ndërsa Presidenti Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe ka mbështetur protestat.
Zyrtari i mbrojtjes tha se nuk do të ketë trupa ushtarake në qytet dhe se ushtria amerikane nuk do të ofrojë mjete ajrore apo të dhëna të zbulimit. Garda e Uashingtonit do të ofrojë ekipe të specializuara që do të jenë të përgatitura të reagojnë ndaj incidenteve të mundshme kimike apo biologjike. Zyrtari tha gjithashtu se garda nuk do të ketë pjesëtarë të saj në parkun kombëtar të Uashingtonit apo në zonën përreth Kongresit amerikan./abcnews.al