Kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi mbrëmjen e sotme një bllokim të tretë kombëtar në të gjithë Anglinë në kuadër të valës së re të infeksioneve me Covid por edhe mutacionit të ri të koronavirusit.
Ndër masat e ndërmarra është mbyllja e menjëhershme e shkollave, ku nga nesër dhe në vijim, mësimi do të nisë në distancë.
“Unë dua të nënvizoj se problemi nuk është që shkollat nuk janë të sigurta por që ato mund të veprojnë si vektorë transmetues duke shkaktuar përhapjen e virusit në familje”, tha Johnson, në një fjalim televiziv drejtuar kombit.
Më tej, ai paralajmëroi se javët në vijim do jenë më të vështirat, por u shpreh optimist pasi me vaksinën tashmë po i vjen fundi pandemisë.
Deri më sot, theksoi Johnson, “ne kemi vaksinuar” më shumë njerëz sesa në të gjithë Evropën.
Kujtojmë që në 24 orët e fundit Britania e Madhe regjistroi 58,784 raste pozitive në 430 mijë tamponë./abcnews.al