Në fund të vitit të kaluar Greqia përmes një dekreti presidencial vendosi që të mbyllte gjiret. Vendimi në Athinë shkaktoi debat të fortë edhe në Shqipëri, ku presidenti dhe opozita lëshuan akuza të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama për shitje të detit. Por në fakt dekreti presidencial grek bën fjalë për mbylljen e gjireve.
Ky ishte hapi i parë i vendit fqinj për zgjerimin me 12 milje në Jon. Por kur do të zyrtarizohet shtrirja? Mediat greke shkruajnë se qeveria do i paraqesë parlamentit në fillim të vitit projektligjin për shtrirjen nga 6 në 12 milje në Jon.
“Projekt-ligji për shtrirjen e ujërave territoriale greke nga 6 në 12 milje detare në Jon do t’i paraqitet parlamentit grek për një votim – në fillim të 2021. Kjo do të thotë që projektligji përkatës do të jetë i pari që do të prezantohet për diskutim dhe votim menjëherë pas rinisjes së punës së Parlamentit në 11 Janar” thuhet në shkrim. Dy vendet do të zgjidhin përfundimisht cështjen e kufirit detar në Hagë pas marrëveshjes për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare.
Marrëveshjet për caktimin e kufijve me Italinë dhe Egjiptin dhe pakti me Shqipërinë për të shkuar në Hagë nga Athina interpretohet si mesazh i Greqisë për bashkësinë ndërkombëtare se pala greke po zgjidh çështjet me fqinjët e saj, ose përmes marrëveshjeve dypalëshe ose duke përdorur gjykatat ndërkombëtare duke çuar një mesazh për konfliktin me Turqinë./ db/Abcnews.al