Atletico Madrid siguroi një tjetër fitore dhe vazhdon të kryesojë kampionatin spanjoll të futbollit. Skuadra e Diego Simeones ia doli të marrë tre pikët pas suksesit 1-2 në fushën e Alaves. “Colchoneros” kaluan të parët në avantazh, teksa vendasit mbeten me 10 lojtarë më pas.
Gjithsesi, futbolli është i paparashikueshëm dhe Felipe shënoi një autogol gjashtë minuta përpara fundit. Ndeshja po shkonte drejt barazimit, por Luis Suarez riktheu Atleticon në avantazh në minutën e fundit. Simeone foli pas ndeshjes, duke deklaruar se La Liga është shumë e fortë.
“Kaluam në avantazh dhe Alaves mbeti me dhjetë lojtarë më pas. Pas këtij momenti humbëm tre raste të pastra për gol. Ne duam të vazhdojmë me fitore, por kundërshtarët janë të fortë dhe askush nuk dorëzohet.
La Liga është një kampionat kompleks, ka shumë kurthe, duhet të jesh vazhdimisht i përgatitur dhe nuk ka fare kohë për relaks. Të gjithë duan të fitojnë dhe në fazën e dytë komplikohet gjithçka. Qetësia humbet dhe gjërat vështirësohen.
Ka skuadra që luftojnë për mbijetesë dhe të tjera për kualifikimin në kompeticionet evropiane. Nevojitet vigjilencë dhe gatishmëri, vetëm kështu mund të përgatiten ndeshjet“, deklaron trajneri i Atletico Madrid. /abcnews.al