“ABC” transmeton pamjet ekskluzive të momentit kur shpëtohen dy vëllezërit sërfistë që u bllokuan duke mbetur në mes të detit, pasi u ça balona. Ngjarja ndodhi pasditen e sotme rreth orës 16:00 në Seman. Dy vëllezërit Ermal dhe Spartak Saliaj 28 vjeç dhe 48 vjeç, banues në Havales kishin dalë për sërf, por balona u ça dhe i la në det.
Rrjedha i rrëmbeu duke i çuar drejt grykëderdhjes së Semanit, raporton gazetarja e “ABC”-së në Fier, Valbona Davidhi. Policia e Fierit ndërhyri me shpejtësi. Pa mjetet e duhura, efektivët e rendit Fier u futën në det. Vëllai i vogël arriti që të dilte vetë, ndërsa të madhin e shpëtuan policët. Sërfisët u dërguan në spital, por gjendja e tyre shëndetësore, sipas policisë është e mirë.
“ABC” mëson se dy vëllezërit e ushtronin këtë sport prej vitesh dhe pasditen e sotme kishin dalë pasi era e fortë favorizon dallgët e preferuara për sërf, por shkaktoi çarjen e balonave duke i lënë një km në brendësi të detit. Një person i tretë që ishte me dy vëllezërit njoftoi familjen, e cila sinjalizoi policinë që u vendos në lëvizje duke i shpëtuar në grykëderdhjen e Semanit, ku i kishte çuar rryma e fortë detare.
I pari që shpëtoi ishte 28 vjeçari Ermal Saliaj i cili doli në breg dhe u prit nga ekipet e shpëtimit. Por më e vështirë dhe e rrezikshme ishte situata në të cilën ndodhej 48-vjecari Spartak Saliaj i cili ishte në prag të kalimit në hipotermi kur u gjet nga efektivët e policisë Fier. Operacioni zgjati rreth një orë e 30 minuta dhe fatmirësisht dy vëllezërit janë në gjendje të mirë./ db/Abcnews.al