Zbardhet skema: Ademi përdori fëmijën për të hyrë në banesë, motrat u vranë duke ngrënë bukë

schedule12:42 - 2 Janar, 2021

schedule 12:42 - 2 Janar, 2021

Zbardhet skema e vrasjes së dy motrave, Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani në zonën e Astirit në Tiranë.

Gazetarja Glidona Daci raporton për abcnews.al se Përparim Ademi, para se të ngjitej në apartament, ka marrë njërin nga fëmijët që po luante poshtë pallatit duke e përdorur si karrem për të hyrë brenda. Dy motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani kanë qenë duke ngrënë bukë. Në momentin që është hapur dera dhe motrat kanë parë që është ai, kanë tentuar të mbyllin derën. Menjëherë 59-vjeçari Përparim Ademi ka hapur zjarr, fillimisht në derë dhe pastaj në drejtim të motrave, të cilat kanë qenë të shtrira.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur 26 gëzhoja plumbash, ndërsa vetëm 5 prej tyre kanë qëlluar motrat Bardhi e Metani. Pasi ka kryer krimin, 59-vjeçari ka qëlluar nëpër muret e banesës, më pas ka lënë armën tip automatik kinez dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Automatiku është gjetur karikatori bosh, të cilin e ka zbrazur në trupat e viktimave dhe në banesën e tyre. Përparim Ademi akuzohet për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Ndërkaq, para trupës gjykuese, Ademi, i njohur edhe me mbiemrin Tela ka pranuar që para 20 vitesh ka nisur një marrëdhënie jashtëmartesore me Kristinën. Pas ndarjes me këtë të fundit, është lidhur me motrën tjetër Zhanetën.

Po ashtu, 59-vjeçari ka martesë ligjore me një grua tjetër, e cila ka pranuar se i dinte lidhjet e të shoqit, madje kishte krijuar miqësi me dy motrat që të mos prishte familjen. Ajo ka shtuar se ka pasur hyrje dhe dalje familjare me ta, madje edhe kanë udhëtuar së bashku. Përparim Ademi, para gjyqtarit Gend Hoxha, ka pretenduar se ka një fëmijë me njërën prej motrave, por që nuk e ka regjistruar në emrin e tij.

Përparimi ka pranuar se krimi ndodhi për arsye xhelozie sepse kishte dyshime se Zhaneta kishte një marrëdhënie me dikë tjetër.

Vrasja ndodhi më 31 dhjetor, në rrugën Bajram Tusha në Astir. 59-vjeçari Përparim Ademi i qëlloi për vdekje me kallashnikov të dy motrat, Kristinën dhe Zhanetën.

Policia i gjeti të dy motrat në banesë pa shenja jete, ndërsa në vendngjarje u gjetën 26 gëzhoja kallashnikovi. Pas vrasjes, Ademi u largua me këmbë nga vendngjarja, ndërsa u arrestua 2 orë pas krimit. Ai pretendoi se do të vetëdorëzohej vetë në Polici, dhe shprehu pendesë për vrasjen e dyfishtë. g.v/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!