Klasa politike në Prishtinë ka reaguar e ndarë lidhur me deklaratën e presidentit Thaçi për një korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. LDK ka deklaruar se do të mbështesë çdo marrëveshje me Beogradin; ndërsa për ish-krerët e Vetëvendosjes, deklarata është tregues se ndarja e Kosovës po bëhet realitet.
“Pra, nuk do të ketë ndarje, por do të ketë korrigjim të kufijve…”
Deklarata e presidentit Hashim Thaçi se në Ballkan do të ketë korrigjim të kufijve dhe bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën ka shkaktuar reagime në radhët e klasës politike kosovare. Kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se LDK do të mbështesë çdo marrëveshje ndërkombëtare që mund të arrihet në të ardhmen. “Ne jemi gardianë të shtetit të Kosovës dhe demokracisë së re të saj dhe nuk do të ndalemi në këtë mision. Marrëveshjet ndërkombëtare gjithmonë janë mbështetur nga LDK dhe do të mbështetën edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Hoti. Ndërkohë, Partia Social-demokrate, e udhëhequr nga ish-krerët e lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se në këto rrethana Parlamenti duhet të rifillojë punën menjëherë.
Shpend Ahmeti, PSD: “Po shkojmë me pushime në një situatë shumë të rëndësishme për Kosovën, kur thuajse të gjitha shtetet po flasin për zgjidhje të këtij dialogu me skenare të rrezikshme, ku flitet për ndarje dhe shkëmbime territoresh”.
Por sërish të enjten, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Thaçi ka ritheksuar se korrigjimi i kufijve me Serbinë nuk do të thotë ndarje të saj.
Hashim Thaçi, president i Kosovës: “Definitivisht, e ritheksoj edhe sot se nga askush nuk mund të imponohet një ndarje e Kosovës, por duhet të jemi të vetëdijshëm se demarkacioni i kufirit Serbi-Kosovë do të ndodhë. Apo, korrigjimi i kufijve. Kjo nënkupton se ne duhet që në procesin e dialogut të punojmë për të vendosur kufirin Kosovë-Serbi. Në asnjë rrethanë nuk do të ndodhë ndarja. E ritheksoj se dicka e tillë as nuk do të hidhet në tryezë nga Beogradi”. /abcnews.al