Familja e Bajram Karajt, nga fshati Balshaban në Baldushk, do ta festojë sonte natën e ndërrimit të viteve në shtëpinë e re, një vit pasi shtëpia iu shkatërrua nga tërmeti. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e uroi Bajramin për banesën e saporindërtuar dhe siguroi se puna për strehimin e familjeve të tjera nuk do të ndalet.
“Sot është dita e fundit e vitit, por jo dita e fundit e punëve për Tiranën tonë. I urojmë Bajramit dhe bashkëshortes së tij, gëzuar dhe vetëm të mira për vitin që vjen! Viti që iku ishte i jashtëzakonshëm, shumë i vështirë, një vit ku u rrëzuam nga tërmeti dhe pandemia, por u ringritëm më të fortë. Nesër do të gdhihemi për punë të reja, do të vazhdojmë me strehimin e familjeve të tjera, për ta kthyer vitin 2021 në vitin e ringritjes,” u shpreh ai.
Veliaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës të nxitojnë të blejnë gjelat e fundit të detit.
“Kanë mbetur edh 10% e gjelave të Baldushkut pa u shitur. Ata që e kanë lënë për në minutën e fundit kanë edhe pak kohë, për të dhënë një kontribut për familjet që jetojnë dhe punojnë gjithë vitin për javën e fundit të vitit. Në vend që të blesh një gjel të ngrirë për kushedi sa kohë, blije të freskët në Baldushk. Është rritur me ullinj, misër, por mbi të gjitha është rritur nga familje që ka sakrifikuar gjithë vitin”, u shpreh kryebashkiaku.
Një tjetër apel i kreut të Bashkisë ishte edhe për ata qytetarë që mezi presin orën e ndërrimit të viteve dhe fishekzjarret.
“Pas të mbarojë vaksinimi do të festojmë të gjithë, por sot nuk është koha për të dalë në shesh. Bashkia do të sjellë festën në të gjitha njësitë e Tiranës, ku çdo fëmijë mund të shohë fishekzjarret nga oborri i shtëpisë, ballkoni apo dritarja. Shpresoj shumë që të kemi një natë të qetë, pa incidente, por duke qenë se moti është i vështirë, duam që të paktën qytetarët të frenohen nga festimet e tepruara. Nuk ka nevojë t’i japin makinës të dehur. Nuk ka nevojë të ndezim fishekzjarre me mjete rrethanore. Është shumë, shumë e rëndësishme që secili të japë ndihmën e vet dhe të na kursejë telashet, ndërkohë që fokusohemi te telashet që na sjell natyra dhe sfidat që kemi me motin”, tha Veliaj. /abcnews.al/