KLP i çon tre inspektorë ILD-së, Arta Marku qëndron në Tiranë, lista e komandimeve

schedule15:50 - 29 Dhjetor, 2020

schedule 15:50 - 29 Dhjetor, 2020

Në mbledhjen e sotme KLP ka marrë disa vendime me rëndësi. Me 7 vota pro dhe 1 kundër Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës së tre kandidatëve për t’u komanduar në pozicionin e Inspektorit pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Tre emrat janë Elena Pelushi (Bakallbashi), Lindita Ziguri (Male) dhe Julian Zonja, prokurorëve u lejohet që të vijojnë procedurën e komandimit si Inspektorë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Gjithashtu në mbledhjen e sotme u komanduan edhe disa prokurorë dhe drejtues. Për ish-kryeprokuroren Arta Marku, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër zgjatet sërish caktimi prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë.

VENDIMET PLOTA

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot, 29.12.2020, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line. Mbledhja është zhvilluar në prani të tetë anëtarëve dhe në mungesë të z. Alfred Balla., si dhe të përfaqësueseve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT. Duke iu përmbajtur rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi çështjet si vijon:

Në lidhje me ankimin e prokurorit Albert Kuliçi kundër Udhëzimit Nr. 3173/5 Prot, datë 20.07.2020 të Prokurorit të Përgjithshëm “Mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokuroreve dhe drejtuesve të prokurorisë, informimin, transparencën dhe garantimin e pavarësisë, në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, Këshilli vendosi me 5 vota pro dhe 3 kundër ( z. Vatë Staka, znj. Nurihan Seiti dhe z. Tartar Bazaj) rrëzimin e kërkesës së ankuesit për shfuqizimin e neneve 12 dhe 16 të Udhëzimit Nr. 12, datë 20.07.2020, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe deklarimin e përfundimit të procedurës administrative pa vendim përfundimtar, filluar mbi bazën e ankimit Nr 1384 Prot, datë 14.09.2020 të prokurorit Albert Kuliçi, me objekt shfuqizimin e pjesshëm të udhëzimit të Prokurorit të Përgjithshëm Nr. 12, datë 20.07.2020, vetëm sa i takon neneve 13, 14, 15 pika 1, , 17 pikat 1 dhe 2, 18 dhe 21.

Me 7 vota pro dhe 1 kundër ( z. Tartar Bazaj ), Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës së tre kandidatëve për t’u komanduar në pozicionin e Inspektorit pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, konkretisht: znj. Elena Pelushi (Bakallbashi), znj. Lindita Ziguri (Male) dhe z. Julian Zonja, si dhe t’u lejojë kandidatëve prokurorë të vijojnë procedurën e komandimit si Inspektorë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Me datë 11.11.2020, Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Gjirokastër, të z. Henrik Haxhiraj, prokuror nga Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit, Vlorë, për shkak të gjendjes shëndetësorë (infektim me virusin COVID 19) dhe të z. Gjon Fusha, i caktuar përkohësisht në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Gjirokastër, deri në datën 15.01.2021. Me rikthimin e z. Fusha në detyrë,  Këshilli vendosi ndërprerjen të caktimit të përkohshëm në  pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Gjirokastër, të z. Henrik  Haxhiraj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Vlorë.

Në vijim, Këshilli vendosi me shumicë votash, pranimin e dorëheqjes së znj. Eloida Goxhi nga detyra e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat, dhe caktimin e përkohshëm të z. Gentian Abazaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat, në funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat, nga data 30.12.2020 deri në datën 29.03.2020.

Me 6 vota pro dhe 2 kundër (z. Gent Ibrahimi dhe z. Sandër Beci), Këshilli vendosi miratimin e veprimtarisë jashtë funksionit për prokuroren Blerta Hamza, prokurore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër, si eksperte për projektin “Monitorimi i SPAK-ut dhe GJPKKO-së. Ndërtimi i një rekordi të qëndrueshëm ndjekjesh penale dhe dënimesh” në Qendrën për Studime Ligjore dhe Sociale (LSSC), jashtë orarit zyrtar të punës, me kohëzgjatje dyvjeçare, qershor 2020-qershor 2022.

Pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin e raportit për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit kalimtar, prokurore Ermira Tafani. Një kopje e këtij raporti i dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, vendosi për tre caktime të përkohshme, duke filluar nga data 01.01.2021 – 31.03.2021 dhe konkretisht: znj. Violeta Shkurta, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Fier, caktohet të ushtrojë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Fier; z. Arben Dyla, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Lushnje, caktohet të ushtrojë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Lushnje; znj. Arta Marku, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër, të caktohet prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë.

Në datën 17.11.2020, Këshilli ka miratuar Rregulloren “Për transferimin e prokurorëve nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele”. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka detyrimin ligjor të shpallë vendet e lira, për transferim me lëvizje paralele, sipas ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku përcaktohet se : Këshillat organizojnë, të paktën çdo 3 muaj, procedurën e lëvizjes paralele për çdo pozicion që: a) është i lirë; b) pritet të bëhet i lirë brenda 3 muajve.”

Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, pasi bëri verifikimet e nevojshme duke evidentuar vakancat përkatëse të çdo zyre, ngarkesës në punë të secilës zyrë prokurorie, i propozoi Këshillit shpalljen e 25 (njëzet e pesë) pozicioneve të lira për t’u plotësuar me procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele në Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit dhe atyre pranë Gjykatave të Shkallës se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, respektivisht: 18 pozicione të lira ne Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë; 7 pozicione të lira në Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit.

Këshilli vendosi unanimisht për shpalljen e 25 pozicioneve të lira si vijon:

  1. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Tiranë
  2. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Tiranë
  3. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Tiranë
  4. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Shkodër
  5. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Vlorë
  6. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Durrës
  7. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Durrës
  8. Pozicion vakant Prokuroria pranë Shkallës së parë Tiranë
  9. Pozicion vakant Prokuroria pranë Shkallës së parë Tiranë
  10. Pozicion vakant Prokuroria pranë Shkallës së parë Tiranë
  11. Pozicion vakant Prokuroria pranë Shkallës së parë Tiranë
  12. Pozicion vakant Prokuroria pranë Shkallës së parë Tiranë
  13. Pozicion vakant Prokuroria pranë Shkallës së parë Tiranë
  14. Pozicion vakant Prokuroria pranë Shkallës së parë Durrës
  15. Pozicion vakant Prokuroria pranë Shkallës së parë Durrës
  16. Pozicion vakant Prokuroria pranë Shkallës së parë Durrës
  17. Pozicion vakant Prokuroria pranë Shkallës së parë Elbasan
  18. Pozicion vakant Prokuroria pranë Shkallës së parë Elbasan
  19. Pozicion vakant Prokuroria pranë Shkallës së parë Elbasan
  20. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Krujë
  21. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Dibër
  22. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Kukës
  23. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Lushnjë
  24. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Pogradec
  25. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Sarandë

Afati për dorëzimin e aplikimeve për këto pozicione është data 20 janar 2021, ora 16.00.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!