Nga Duncan Robinson “The Economist”
Fërkimet e brendshme, shqetësimet e jashtme dhe disa lamtumira të pritura prej kohësh, do të jenë në rendin e ditës për Bashkimin Evropian në vitin 2021. Pati shumë përpjekje për të arritur konsensus mbi fondin prej 750 miliardë eurosh,për herë të parë si një në borxh kolektiv,për t’i bërë ballë një krize financiare të shkaktuar nga Covid-19.
Në vitin 2021 politikanët e BE-së do të mësojnë se të rënit dakord për të marrë hua para ishte diçka shumë e lehtë, ndërsa të biesh dakord se si të shpenzohen ato do të jetë shumë më e vështirë. Vendet skeptike si Holanda, do të vëzhgojnë nga afër se çfarë po bëjnë qeveritë e tjera me këto para.
Por, politikanët spanjollë dhe italianë nuk do të jenë të kënaqur që vendet e tjera të BE-së, të ndërhyjnë në punët e tyre financiare. Gjithsesi, ata do të detyrohen të mësohen me këtë gjë. Normalisht debate të tilla janë kompetenca e politikës kombëtare. Por në vitin 2021, ato do të fillojnë të zhvillohen në një nivel evropian.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, do të ketë pak nxitje për të pasur një qasje të butë ndaj fqinjëvetë tij jugorë. Holanda në pranverën e vitit që vjen do të mbajë zgjedhje parlamentare – të parat nga 2 proçese zgjedhore të rëndësishme evropiane në vitin 2021 – dhe Rutte do të zgjedhë të përplaset me qeveritë e jugut në mënyrë që të mos humbasë votuesit në të djathtën e tij euroskeptike.
Por kryeministri liberal-konservator holandez, do të duhet të manovrojë në një situatë delikate:partitë eurofilike në spektrin e majtë të politikës holandeze janë në rritje. Rutte ka gjetur një mënyrë dinake për të mbajtur një ekuilibër midis këtyre2 kampeve.
Prisni që ai t’i bashkohet rivalëve liberalë në kritikat e ashpra ndaj Polonisë dhe Hungarisë, për prapësimin e normave demokratike. Për holandezët, një hungarez që godet shtypin, është po aq i keq sa një italian qëshpërdoron fondet e BE-së.Dyshimet mbi sundimin e ligjit do t`a dominojnë BE në vitin 2021.
Debati vetëm sa do të përshkallëzohet, teksa vende si Bullgaria, Qipro dhe Malta – ku akuzat për korrupsionin, pasaportat dhe shtypja e lirisë së medias janë shumë të përhapura – i bashkohen Polonisë dhe Hungarisë në klubin e anëtarëve renegatë të BE-së, që hedhin hapa në kundërshtim me vlerat e unionit.
Tregu i përbashkët mbështetet tek supozimin se çdo vend ka politikanë të pakorruptueshëm, një shtyp të lirë, dhe një sistem ligjor të drejtë, që është diçka që mund të garantohet. Vitin që vjen do të ketë pak durim. Por edhe pak veprime.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ika rrethuar kundërshtarët e tij liberalë për më shumë se një dekadë, i mbrojtur pjesërisht nga anëtarësia e tij në Partinë Popullore Evropiane, grupi më me ndikim i qendrës së djathtë të politikanëve evropianë.
Politikanët “pa shtyllë kurrizore”nga e djathta e qendrës, kanë bërë shumë pak për t`a frenuar atë. Dhe fitoret e Orban nuk do të ndalen, vetëm pse ankohen kolegët e tij të së djathtës evropiane. Në një mënyrë dëshpëruese, shumë udhëheqës po e injorojnë këtë çështje, pasi ata besojnë se BE-ja ka probleme të tjera më të mëdha.
Dhe kur është fjala fjalë për politikën e jashtme, ata kanë të drejtë. Një “unazë destabiliteti”e rrethon ngado bllokun, nga Afrika e Veriut në Rusi. Vladimir Putin dhe Rexhep Tajip Erdogan do të vazhdojnë të rrezikojnë kufijtë e unionit, ndërsa BE dështon në reagimin e saj.
Përpjekja për të pasur një politikë të jashtme koherente ndaj fqinjëve të BE, do të vazhdojë të mbetet një makth. Interesat ndryshojnë shumë midis vendeve për çështje si Rusia dhe Turqia, të cilat arrijnë të jenë miq të dobishëm për disa shtete anëtare, dhe kërcënime ekzistenciale për të tjerat.
Ndërkohë, BE-ja do të jetë më e bashkuar për çështjet e jashtme. Është sigurisht më e lehtë, por jo tërësisht e tillë, të kesh një politikë të përbashkët ndaj Kinës sesa mbi Rusinë. Futja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ishte një kujtesë në kohën e duhur, se interesat amerikane dhe evropiane nuk janë gjithmonë në një linjë.
Fuqitë evropiane (sidomos Franca nën drejtimin e Emmanuel Macron), kanë mësuar me vonesë se nganjëherë BE duhet të ecë përpara vetëm. Sovraniteti evropian – aftësia për të mos u udhëhequr nga një hegjemoni – do të jetë kryefjala edhe për vitin 2021.
Presidenti amerikan Joe Biden, do të bëjë shumë pak për t`a ndaluar këtë ndryshim të pashmangshëm. Presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se do të drejtojë një “komision gjeopolitik”. Kjo ide do të jetësohet në marrëdhëniet e BE-së me fuqitë e tjera të mëdha.
Pra,BE do të mbetet e shqetësuar për varësinë e saj të madhe ndaj SHBA-së, për sigurinë. Brukseli është i vendosur të mos përfshihet në asnjë luftë për pushtet midis Kinës dhe Amerikës. Megjithëse BE-ja ka kohë që e mban veten si një fuqi ekonomike, duke e përdorur si shkop tregtinë, një vëmendje serioze do t’i kushtohet vitin që vjen mungesës së aftësisë ushtarake.
Tek e fundit, Britania, pengesa kryesore – por jo e vetmja -ndaj një qasje të tillë, është larguar përfundimisht nga unioni. Në vitin 2021 do të ndihen efektet reale të Brexit. Njerëzit e biznesit në Britani, kanë qenë prej kohësh të vetëdijshëm se jeta e tyre do të ndryshojë, por edhe qytetarët britanikë do të shohin se disa gjëra do ndryshojnë për keq.
Mbështetësit më të zjarrtë të Brexit, kanë bërë prej kohësh gabim duke supozuar se BE është e dobët. Ndërkohë, ata që kërkonin qëndrimin në union supozonin të kundërtën. Që të dyja sot janë të tronditura. Largimet e tjera do të shkaktojnë një vakum të madh.
Angela Merkel do të dalë nga skena evropiane kur të lërë postin, pas zgjedhjeve parlamentare gjermane në vjeshtën e vitit 2021. Zonja Merkel ka qenë një “konstante kopernikane” e sistemit të BE-së:politika lëvizte përreth saj.
Edhe pse Gjermania nuk arrinte gjithmonë të merrte atë që dëshironte, ajo ishte thuajse gjithmonë në gjendje të neutralizonte atë që kundërshtonte. Largimi i saj do të lërë një vakum të madh. Dhe kush do ta mbushë atë? Për Evropën, kjo do të jetë çështja më e rëndësishmee vitit 2021. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

