Gjykata Kushtetuese është shumë pranë anëtarit të shtatë. Ditën e sotme Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar Presidentit Ilir Meta emrin e Sonila Bejtjas, e vetmja në garë për vendin e lirë që u la nga Besnik Muçi.
Për këtë vend ishin në garë dhe Altin Binaj me Zhaklina Peto. I pari u emërua në Gjykatën Kushtetuese pasi garonte edhe për një tjetër vend vakant, ndërsa Peto vijon luftën institucionale me KED-në.
Parlamenti ka emëruar tre anëtarët e tij, Presidenti ka emëruar dy deri tani, ndërsa ka edhe një tjetër, pra emrin që i dërgoi KED-ja, Sonila Bejtjan.
Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese u bë funksionale, pasi u emërua anëtari i gjashtë, Altin Binaj.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë, e cila nuk është plotësuar vetë akoma.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi./ db/Abcnews.al