Metani letër Etilda Gjonajt: Të ulet kriteri i viteve të punës për kandidatët për inspektorë

schedule12:07 - 28 Dhjetor, 2020

schedule 12:07 - 28 Dhjetor, 2020

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani i është drejtuar me një letër ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj ku kërkon ndryshime në ligj për kriteret e përzgjedhjes së inspektorëve. ILD kërkon që kriteri për 13 vite eksperiencë pune për një kandidat që aspiron për t’u bërë pjesë e kësaj strukture, të ulët në 7 vite.  ILD i propozon ndryshime ligjore për kushtet apo kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët. Ajo kërkon plotësimin e vakancave dhe trajtimin e njëjtë në aspektin financiar të inspektorëve magjistratë dhe jomagjistratë.

“Së pari, gjejmë rastin t’iu falenderojmë për iniciativën e ndërmarrë nga ana Juaj, mbi kryerjen e një analize mbi problematikat e evidentuara nga organet e reja të sistemit të drejtësisë dhe propozimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore për adresimin e tyre. Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë shpreh angazhimin dhe gadishmërinë e saj për të kontribuar në të gjitha proceset. që ndikojnë në zbatimin e duhur dhe efiçent të reformës në drejtësi.

Ashtu siç edhe Ju jeni në dijeni, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, u konstitua në datën 01.02.2020 pas zgjedhjes së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me vendimin nr.2/2020, te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Menjëherë pas konstituimit, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka nisur ushtrimin e veprimtarisë institucionale.

Gjatë kësaj periudhe 10 mujore të ushtrimit të saj janë identifikuar disa problematika në parashikimet ligjore të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në funksionimin e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Këto problematika janë bërë prezent edhe në takimet e organizuara me përfaqësues të organeve të reja të sistemit të drejtësisë gjatë muajit Tetor 2020 nën drejtimin e zëvendësministrit të Drejtësisë.

Me qëllim adresimin e këtyre problematikave dhe garantimin e përmbushjes së kompetencave kushtetuese dhe ligjore të këtij organi, vlerësojmë të nevojshme ndërmarrjen e nismës për propozimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar.

Bashkëlidhur kësaj shkrese, lutem gjeni propozimet e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për ndryshime në aktet ligjore të sipërcituara të strukturuara në formën e një projektligji dhe të shoqëruara me relacionet shpjegues. Nëpërmjet këtyre propozimeve synohet:

-Garantimi i funksionimit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nëpërmjet plotësimit të vakancave të pozicioneve inspektorë.

-Trajtimi i njëjtë financiar i inspektorëve magjistratë dhe jomagjistratë që ushtrojnë funksionin pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

-Rregullimi i marrëdhënies ndërmjet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe inspektorëve gjatë fazës së verifikimit të ankesave, hetimit disiplinor dhe inspektimit.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin. “, thuhet në letër./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!