Vazhdojnë tratativat për sa i përket rinovimit të Hakan Calhanoglu. Mesfushori i Milanit ka disa kohë që flitet se do të rinovojë, por palët ende nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët mes tyre.
Sipas raportimit të “La Gazzetta dello Sport”, drejtuesit kuqezinj i kanë ofruar turkut 3.5 milionë euro rrogë neto në sezon, por ai kërkon 5 milionë euro plus bonuse. Duket qartë që ka një ulje të kërkesës nga ana e lojtarit, pasi fillimisht ai kërkoi plot 7 milionë euro në sezon.

Kujtojmë që kontrata e Hakan me “Djallin” përfundon në qershor të vitit 2021 dhe që nga muaji janar ai do të ketë mundësinë për të negociuar me klube të tjerë nëse nuk arrihet marrëveshja me Milanin.
Calhanoglu ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Milanit përgjatë gjithë këtij viti dhe një ndër më të mirët këtë sezon. Deri më tani ai numëron shtatë asiste dhe një gol në 14 ndeshjet e para të Serie A. /abcnews.al



